Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kastrati shpreson që goli ndaj Hajdukut të jetë “pikë kthese” për të

Lirim Kastrati kishte nisur me sukses karrierën te Dinamo e Zagrebit. Kishte shënuar gol ndaj CFR Cluj, në kualifikimet e Championsit, e më pas ndaj Hajdukut të Splitit në Kampionatin kroat. Por, më pas, gradualisht, mbeti në plan të dytë te gjiganti kroat i futbollit. Është aktivizuar kryesisht si zëvendësues apo në ndeshje më pak të rëndësishme. Shënoi edhe ndaj CSKA Moskës në Ligën e Evropës më 10 dhjetor, ndërsa prej atëherë nuk realizoi më.

Së fundi, 22-vjeçari i Përfaqësueses së Kosovës luajti fare pak për Dinamon, por të dielën fitoi rastin ndaj Hajdukut. Ndonëse derbi më i madh kroat, Dinamo, pushoi disa lojtarë të përbërjes bazë dhe rasti i erdhi Kastratit, ai e shfrytëzoi si më mirë, duke shënuar njërin gol në fitoren 2:0.

Sipas gazetës së njohur kroate, Sportske Novosti, ishte befasi që Kastrati startoi ndaj Hajdukut, marrë për bazë statusin e tij deri më tani.

“Unë nuk jam befasuar. E ka parë trajneri që po punoj shumë më tepër se përpara. E falënderoj shumë që më ka dhënë rastin. Sigurisht secilën ndeshje do ta shfrytëzoj kur ta fitoj rastin dhe do të bëj çdo gjë për të qenë atje ku e kemi vendin”, ka thënë Kastrati për gazetën kroate.

“Gjithnjë është mirë të shënosh gol, ndërsa ndaj Hajdukut është ndjenjë e veçantë. Është derbi i madh, nuk ka rëndësi në çfarë situatë janë skuadrat. Ndryshe është kur shënon gol ndaj Hajdukut”, ka shtuar Kastrati.

Kastrati ka pranuar se kishte rënie të formës. Ai ka pritur shansin dhe e ka shfrytëzuar. Ndërkaq, ka thënë se mundet shumë më tepër dhe se asnjëherë nuk është i kënaqur.

Edhe “Index” i Kroacisë kujton kohën kur Kastrati shpëtoi Dinamon Futboll “Index” i Kroacisë kujton kohën kur Kastrati shpëtoi Dinamon

“Ky gol dhe fitorja janë vetëm motiv për të punuar edhe më shumë”, ka thënë sulmuesi i krahut.

Verën e kaluar Kastrati kaloi te Dinamo nga Lokomotiva e Zagrebit. Pranon se të luash te Dinamo është shumë më e vështirë.

“Pajtohem se kjo është një pikë kthese. Tani kam motiv për të luajtur më shumë. Kemi çdo tri ditë ndeshje të re, kjo është e mirë për mua. Besoj se do të ketë raste tjera dhe që do t’i shfrytëzoj më mirë. Te Dinamo kam përparuar, por e shoh se kam edhe shumë hapësirë për përmirësim. Asnjëherë nuk jam i kënaqur me veten. Gjithnjë mundem më mirë, kjo është e sigurt”.