Mentor Zhdrella ka dyshime për ndonjë datë apo ndonjë vit. Por të arriturat i kujton shumë mirë. Zhdrella mburret me karrierën si futbollist. Rrugëtimin e nisi dhe e mbylli te 2 Korriku i Prishtinës.
Për karrierën unike, Zhdrella foli të shtunën në fushën ku i bëri hapat e parë si lojtar.
Ai ndihet krenar me karrierën 20-vjeçare, gjatë së cilës nuk i kanë munguar sukseset. Është i vetmi që e ka fituar katër herë çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Kosovë.
“Sa herë të vij në këtë stadium më kap nostalgjia nga fëmijëria. Këtu kam filluar karrierën qysh në moshën 7-vjeçare. Është koha e paraluftës. Ndihem shumë mirë që kam filluar këtu karrierën dhe i jam falënderues klubit të 2 Korrikut. Është një klub që gjithmonë ka nxjerrë lojtarë të gatshëm për Evropë dhe për futbollin tonë. I jam shumë mirënjohës për mundësinë që më kanë dhënë”, ka thënë Zhdrella për KOHËN.
Mesfushori thotë se mund të ketë qenë 15-vjeçar kur për herë të parë barti fanellën e 2 Korrikut si senior.
“Debutimi im ka qenë në mos gabohem në moshën 15-vjeçare si senior. Jo i rregullt, por kam pasur disa minuta. Pastaj si 16-vjeçar kam nisur të luaj startues. Kemi qenë në Ligën e Parë dhe më pas në Superligë dhe pas një viti kam kaluar te klubi i Hysit”.
Ishte viti 2012 kur Mentori fitoi për herë të fundit çmimin e lojtarit më të mirë në Kosovë. Ishte çmimi i katërt rresht si lojtari më i mirë në vend. Kishte fituar rregullisht në vitet 2009, 2010 dhe 2011. Katër çmimet i fitoi sa ishte pjesë e klubit të futbollit Hysi, që para disa vjetësh u shua. Me Hysin fitoi edhe titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
“Te Hysi kam luajtur për pesë vjet, kam fituar gjithçka që mund të fitohet në nivelin e futbollit tonë, si trofe me klubin ashtu edhe individual. Hysi atëbotë ka qenë një klub shumë i organizuar, ka pasur rregull, siç është sot te Ballkani, Drita, Llapi që kanë një nivel më të lartë se të tjerat klube. Ato kanë qenë vitet më të mira në karrierën time”, thotë ish-ylli i futbollit kosovar.
Zhdrella ka luajtur edhe te Prishtina, Drita, Feronikeli, Llapi, Dukagjini dhe KEK-u. Ka luajtur edhe për Kosovën.
“Pas shuarjes së Hysit ishte shumë problem. Kam shkuar te klubi i Dritës, ku më është dashur t’i luaj 8-9 ndeshje. Karrierë një vit kam bërë te Prishtina, pastaj Feronikeli, ku për katër vjet qëndrim në atë klub kemi fituar të gjithë trofetë. Pastaj kam vazhduar te Llapi për katër vjet. Edhe aty kemi kaluar mirë. Kemi pasur një grup të mirë. Kemi gjetur përkrahje të madhe”, kujton Zhdrella.
Ai ka luajtur kryesisht prapa sulmuesve. Por në shumë raste ka pasur lirinë e plotë në fushë. Një prej momenteve që Zhdella veçon nga karriera e pasur është edhe Kupa e fituar me fanellën e Llapit.
“Edhe aty kam kaluar shumë mirë. Kemi arritur ta fitojmë Kupën dhe Superkupën pas shumë vjetësh pritjeje, gjë që ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë për gjithë ne dhe qytetin e Podujevës”, është shprehur Zhdrella. Ai së fundi nuk ishte aktivizuar. Tentoi të kthehej pas pauzës, por nuk arriti marrëveshje me asnjë klub.
Pas disa muajsh stërvitjeje në klubin 2 Korriku, vendosi t’i varë këpucët e futbollit në gozhdë.
“Ka qenë i vështirë vendimi për t’u pensionuar, pas një karriere shumë të gjatë. Por mora vendimin e detyrueshëm për shkak të lëndimeve që kam pasur vazhdimisht. Më kanë lodhur kohëve të fundit. Sa kapja formën, ndodhte lëndimi. Lëndimet e vazhdueshme më kanë shtyrë të tërhiqem përfundimisht”.
Zhdrella nuk është larguar asnjëherë nga futbolli i Kosovës, ndonëse kishte mundësi të shumta.
Kur ishte 18-vjeçar, pati fituar kontratë nga klubi elitar i Ukrainës, Kryvbas. Por vendosi të mos qëndrojë në Ukrainë. Nuk kishte qëndruar as në Shqipëri, ndonëse ishte prezantuar si përforcim i madh nga Partizani i Tiranës. Ai tregon arsyet që e shtynë të mos largohej nga Kosova.
“Kam pasur oferta të luaj edhe jashtë vendit, por shkaku i familjes, rrethit shoqëror, nuk kam mundur të qëndroj larg, jam shtyrë të qëndroj në Kosovë. Kam pasur ndoshta mundësi të luaj edhe në klube shumë më të mëdha, por kjo është arsyeja që nuk kam vendosur. Qëndrimi larg familjes dhe shoqërisë, ka qenë pika ime më e dobët”, thotë ai.
Zhdrella, megjithatë, nuk është pishman për vendimet gjatë karrierës.
“Unë jam shumë i kënaqur me gjithçka që kam arritur këtu. Edhe pse nuk kam bërë karrierë jashtë vendit, jam i kënaqur me të arriturat. Kam qenë i fokusuar maksimalisht që ta jap më të mirën në futbollin tonë. Kam pasur përkrahje të madhe nga familja, veçanërisht nga babai im, që ka qenë pika ime më e fortë e përkrahjes gjatë gjithë këtyre vjetëve të karrierës, për çka i jam falënderues”.
Zhdrella zbulon edhe një mosmarrëveshje që ka pasur me ish-selektorin e Kosovës, Albert Bunjaki. I mbetet merak që nuk luajti për Kosovën kundër Haitit në marsin e viti 2014. Ishte miqësorja e parë e Kosovës pas lejes që mori nga FIFA.
Zhrella është pa vendim për të ardhmen. Thotë se ka disa oferta për punë, por që ende nuk është i përcaktuar.
“Po të kisha vazhduar karrierën jashtë futbollit të Kosovës, mendoj se do të bëja shumë gjëra të mëdha në futboll, por edhe me këto që i kam arritur jam i kënaqur dhe mendoj se kam arritur majat dhe maksimumin me atë që kam bërë këtu në Kosovë”, ka thënë Zhdrella.
Zhdrella përfundimisht do të mbahet mend si lojtari që ka dhënë kontribut të çmuar në futbollin kosovar.