Sport

Karriera e veçantë e Hetemajt, 300 ndeshje në Serie A

Ndeshja ndaj Ascolit, e luajtur më 10 prill, me shumë mundësi do të jetë e fundit e Përparim Hetemajt në futbollin italian. Mesfushori i njohur për shpirtin luftarak dhe angazhimin në fushë po bëhet gati për largim nga Italia pas 12 vjetësh në futbollin e këtij vendi.

Hetemaj po kthehet në Finlandë, vendin ku është rritur dhe ku e ka mësuar futbollin. Ish-reprezentuesi i Finlandës së fundi ka luajtur në Serie B, por karriera e tij në Itali është e veçantë.

Ai mund të mburret se ka arritur shifër shumë të madhe të ndeshjeve në Serie A, njërin prej kampionateve më të forta në botë. Plot 300 ndeshje në Serie A i ka Hetemaj. Kjo tregon për konsistencën e tij ndër vite dhe rëndësinë që kishte në skuadrat ku luajti.

Hetemaj futbollin e mësoi te HJK Helsinki, te e cila skuadër debutoi në nivelin e të rriturve. Në vitin 2006 u transferua te AEK-u i Athinës. Nisi mirë, por një lëndim frenoi rritjen e tij. Luajti më pas huazim te Apollon Kalamarias, pas kthimit nga lëndimi. Në vitin 2009 kaloi te Twente në Holandë, por nuk ia doli të shpërthejë në ekipin e parë.

Shpëtimin e gjeti duke u transferuar te Brescia, atëbotë skuadër e Serie B. Transferimin e kompletoi më 1 shkurt të vitit 2010, ndërsa atë edicion (2010/2011) i luajti vetëm katër ndeshje në Serie B. Brescia, për fatin e Hetemajt, u promovua në Serie A dhe futbollisti me prejardhje nga Skënderaj firmosi për tri vjet.

Debutoi në Serie A më 12 shkurt të vitit 2010. E kompletoi ndeshjen ndaj Palermos, në fitoren 3:0. Golin e parë në Serie A e shënoi më 22 dhjetor 2010, ndaj Romës. Ishte fillimi i një rrugëtimi të veçantë për Hetemajn. Atë edicion i luajti 30 ndeshje për Brescian, ndërsa shënoi dy gola dhe bëri tri asistime.

Pasoi një transferim te Chievo, ku mesfushori i pandalshëm u stabilizua.

Te Chievo i kompletoi tetë edicione. Vetëm në dy edicione luajti më pak se 30 ndeshje. I kishte 28 ndeshje në edicionin 2015/16 e 23 në edicionin 2016/17.

Në Serie B u kthye në shtator të vitit 2019, kur firmosi për dy vjet me Beneventon. Vazhdoi me numër të madh paraqitjesh. Luajti 33 herë në Serie B në edicionin 2019/2020, ndërsa në edicionin 2020/2021 u kthye në Serie A, me Beneventon. I luajti edhe 31 ndeshje. Kështu kompletoi 300 paraqitjet në Kampionatin italian, si jo shumë lojtarë të tjerë.

Hetemaj vendosi për skuadër tjetër, Regginan e Serie B. Te kjo skuadër kaloi verën e kaluar. Ka shfaqur vlera dhe tashmë ka arritur shifrën e 30 ndeshjeve, si në shumicën prej 12 vjetëve të tij në Itali.

Por ka vlerësuar se është koha për një ligë më të vogël. Në moshën 35-vjeçare ai do të luajë për HJK Helsinkin, në Kampionatin finlandez, ku ngarkesa është dukshëm më e vogël se në Serie B, e sidomos më e vogël se në Serie A.

Por trashëgimia e tij, sidomos te Chievo, është e çmuar. Reggina ka shprehur interesim për ta mbajtur Hetemajn edhe një vit, por ai më herët kishte ndarë mendjen për të bërë lëvizjen për në Finlandë. Gjatë karrierës e kishin kërkuar skuadra më të mëdha italiane, Roma, ndër të tjera. Por Hetemaj vendosi të luante për skuadra më të vogla, ku kishte gjetur rehatinë e ku luante rregullisht, që ishte më e rëndësishmja.

Te Helsinki mund të debutojë menjëherë të shtunën, pasi Reggina është pajtuar për ndërprerje të parakohshme të kontratës për t’ia lejuar kosovarit kalimin në Finlandë.

Në Finlandë, Përparimi është emër i njohur. Në këtë vend luan edhe vëllai i tij, Mehmeti.

Pëprarim Hetemaj ka luajtur 50 ndeshje për Finlandën, ndërsa ka realizuar katër gola. Nisi në vitin 2009 dhe përfundoi në vitin 2017. Ka luajtur për U21 të Finlandës e po ashtu për U19. Fitoi simpati kur në vitin 2016 vendosi mos të luajë për Finlandën ndaj Kosovës. Vendimi i tij u kuptua në Finlandë, ndërsa u mirëprit në Kosovë.