Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hetemaj pas 12 vjetësh largohet nga Italia

Mesfushori luftarak, Përparim Hetemaj, e mbylli një kapitull shumë të suksesshëm të karrierës së tij. 35-vjeçari është larguar nga futbolli italian, ku i ka kaluar 12 vjetët e fundit.

Ish-reprezentuesi i Finlandës, këtë edicion luajti për Regginan në Serie B. Më herët ishte te Brescia në edicionin 2010/11, kurse prej vitit 2011 deri në vitin 2019 ishte pjesë e Chievos. Më pas dy vjet i kaloi te Benevento.

Ndonëse te ekipe të vogla italiane, Hetemaj ka bërë karrierë të suksesshme në këtë vend. Kryesisht ka luajtur në Serie A. Në elitën italiane i kaloi dhjetë vjet.

Sipas njoftimit të mediave finlandeze, Hetemaj transferohet te HJK Helsinki, skuadra më e madhe në Finlandë. Ai e ka nisur karrierën te Helsinki, ndërsa ka pasur periudha të pasuksesshme te AEK-u i Athinës dhe Twente. Luajti edhe për Apollon Kalamarias në Greqi. Por shkëlqimin e gjeti në Itali, sidomos te Chievo ku ishte i pazëvendësueshëm.

Hetemaj ka luajtur 50 ndeshje për Finlandën, ndërsa ka shënuar katër gola. Karrierës te Finlanda i dha fund në vitin 2017.

Artikuj të ngjashëm