Përparim Hetemaj është gati ta nisë një aventurë të re, shumë të veçantë. Hetemaj është zyrtarizuar si lojtar i FC Gilla, një ekip që garon në kategoritë më të ulëta në Finlandë, i themeluar në vitin 2022 nga disa “YouTuberë” të famshëm finlandezë, siç thonë ata, “më të ndjekurit në vend”.
Hetemaj iu bashkua klubit finlandez me një video në të cilën “befasoi shikuesit duke u veshur si Babadimër”.
Hetemaj javë më parë u përshëndet nga futbolli profesionist. Së fundi luajti për skuadrën e Helsinkit në Finlandë. 37-vjeçari ndeshjen e fundit të karrierës së tij si profesionist e luajti më 14 dhjetor, kur skuadra e tij Helsinki u përball me PAOK-un, në kuadër të Ligës së Konferencës.
Hetemaj u kthye në Helsinki në prill të vitit të kaluar pas 16 vjetësh jashtë Finlandës.
Hetemaj futbollin e mësoi te Helsinki, tek e cila skuadër debutoi në nivelin e të rriturve. Në vitin 2006 u transferua tek AEK-u i Athinës. Nisi mirë, por një lëndim frenoi rritjen e tij. Luajti më pas si huazim tek Apollon Kalamarias, pas kthimit nga lëndimi. Në vitin 2009 kaloi te Twente në Holandë, por nuk ia doli të shpërthejë në ekipin e parë.
Shpëtimin e gjeti duke u transferuar te Brescia në Itali, atëbotë skuadër e Serie B. Transferimin e kompletoi më 1 shkurt të vitit 2010, ndërsa atë edicion 2010/2011 i luajti vetëm katër ndeshje në Serie B. Brescia, për fatin e Hetemajt, u promovua në Serie A dhe futbollisti me prejardhje nga Skenderaj firmosi për tre vjet. Debutoi në Serie A më 12 shkurt të vitit 2010. E kompletoi ndeshjen ndaj Palermos, në fitoren 3:0. Golin e parë në Serie A e shënoi më 22 dhjetor 2010 ndaj Romës. Ishte fillimi i një rrugëtimi të veçantë për Hetemajn. Atë edicion i luajti 30 ndeshje për Brescian, ndërsa shënoi dy gola dhe bëri tri asistime. Pasoi një transferim te Chievo, ku mesfushori i pandalshëm u stabilizua. Te Chievo i kompletoi tetë edicione. Vetëm në dy edicione luajti më pak se 30 ndeshje. I kishte 28 ndeshje në edicionin 2015/16 e 23 në edicionin 2016/17. Në Serie B u kthye në shtator të vitit 2019, kur firmosi për dy vjet me Beneventon. Vazhdoi me numër të madh paraqitjesh. Luajti 33 herë në Serie B në edicionin 2019/2020, ndërsa në edicionin 2020/2021 u kthye në Serie A, me Beneventon. I luajti edhe 31 ndeshje. Kështu kompletoi 300 paraqitjet në kampionatin italian, si jo shumë lojtarë të tjerë. Hetemaj vendosi për skuadër tjetër, Regginan e Serie B. Te kjo skuadër kaloi verën e kaluar. Ka shfaqur vlera dhe tashmë ka arritur shifrën e 30 ndeshjeve, si në shumicën prej 12 vjetëve të tij në Itali.
Edhe
Hetemaj ka synime të mëdha në rolin e trajnerit
Në Finlandë, Përparimi është emër i njohur. Në këtë vend ka luajtur edhe vëllai i tij, Mehmeti. Hetemaj ka luajtur 50 ndeshje për Finlandën, ndërsa ka realizuar katër gola. Nisi në vitin 2009 dhe përfundoi në vitin 2017. Ka luajtur për U21 të Finlandës e po ashtu për U19. Fitoi simpati kur në vitin 2016 vendosi të mos luajë për Finlandën ndaj Kosovës në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. Vendimi i tij u kuptua në Finlandë, ndërsa u mirëprit në Kosovë.