Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hetemaj i jep fund karrierës së pasur si futbollist

Përparim Hetemaj i jep fund karrierës së tij të gjatë dhe të pasur si futbollist. Ndeshjen e fundit të karrierës së tij e luan më 14 dhjetor, kur skuadra e tij Helsinki do të përballet në Thessaloniki të Greqisë kundër PAOK-ut, në kuadër të Ligës së Konferencës. Por para se Hetemaj t’i japë fund karrierës, sonte do të përshëndetet me shikuesit e Helsinkit në Finlandë. Helsinki e pret Aberdeenin e Skocisë në Ligën e Konferencës. Helsinki është pa gjasa për kalim tutje në Ligën e Konferencës. Zë vendin e fundit me një pikë, ndërsa kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të fazës së grupeve.

“Do të jetë një moment emocionues, e gjithë familja do ta ndjekim ndeshjen”, ka thënë Hetemaj.

Hetemaj u kthye në Helsinki në prill të vitit të kaluar pas 16 vjetësh jashtë Finlandës.

Hetemaj futbollin e mësoi te Helsinki, te e cila skuadër debutoi në nivelin e të rriturve. Në vitin 2006 u transferua te AEK-u i Athinës. Nisi mirë, por një lëndim frenoi rritjen e tij. Luajti më pas huazim te Apollon Kalamarias, pas kthimit nga lëndimi. Në vitin 2009 kaloi te Twente në Holandë, por nuk ia doli të shpërthejë në ekipin e parë.

Shpëtimin e gjeti duke u transferuar te Brescia në Itali, atëbotë skuadër e Serie B. Transferimin e kompletoi më 1 shkurt të vitit 2010, ndërsa atë edicion 2010/2011 i luajti vetëm katër ndeshje në Serie B. Brescia, për fatin e Hetemajt, u promovua në Serie A dhe futbollisti me prejardhje nga Skenderaj firmosi për tri vjet. Debutoi në Serie A më 12 shkurt të vitit 2010. E kompletoi ndeshjen ndaj Palermos, në fitoren 3:0. Golin e parë në Serie A e shënoi më 22 dhjetor 2010, ndaj Romës. Ishte fillimi i një rrugëtimi të veçantë për Hetemajn. Atë edicion i luajti 30 ndeshje për Brescian, ndërsa shënoi dy gola dhe bëri tri asistime. Pasoi një transferim te Chievo, ku mesfushori i pandalshëm u stabilizua. Te Chievo i kompletoi tetë edicione. Vetëm në dy edicione luajti më pak se 30 ndeshje. I kishte 28 ndeshje në edicionin 2015/16 e 23 në edicionin 2016/17. Në Serie B u kthye në shtator të vitit 2019, kur firmosi për dy vjet me Beneventon. Vazhdoi me numër të madh paraqitjesh. Luajti 33 herë në Serie B në edicionin 2019/2020, ndërsa në edicionin 2020/2021 u kthye në Serie A, me Beneventon. I luajti edhe 31 ndeshje. Kështu kompletoi 300 paraqitjet në Kampionatin italian, si jo shumë lojtarë të tjerë. Hetemaj vendosi për skuadër tjetër, Regginan e Serie B. Te kjo skuadër kaloi verën e kaluar. Ka shfaqur vlera dhe tashmë ka arritur shifrën e 30 ndeshjeve, si në shumicën prej 12 vjetëve të tij në Itali.

Edhe Hetemaj ka synime të mëdha në rolin e trajnerit Sport Hetemaj ka synime të mëdha në rolin e trajnerit

Në Finlandë, Përparimi është emër i njohur. Në këtë vend ka luajtur edhe vëllai i tij, Mehmeti. Hetemaj ka luajtur 50 ndeshje për Finlandën, ndërsa ka realizuar katër gola. Nisi në vitin 2009 dhe përfundoi në vitin 2017. Ka luajtur për U21 të Finlandës e po ashtu për U19. Fitoi simpati kur në vitin 2016 vendosi mos të luajë për Finlandën ndaj Kosovës në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. Vendimi i tij u kuptua në Finlandë, ndërsa u mirëprit në Kosovë.

“Kam qenë para një vendimi të vështirë. Por unë vendosa në fund të vazhdoj të luaj për Finlandën. I mirë apo i keq, ishte vendim imi në konsultim me shumë persona. Kam pritur reagime, por mendoj se ka qenë e rrugës që unë të mos paraqitem kundër Kosovës. Ky vendim u respektua nga të gjithë dhe u jam mirënjohës. Unë kam luajtur gjithmonë për Finlandën dhe isha në fund të karrierës. Mendova se më mirë është t’u lë hapësirë lojtarëve të rinj që kanë vullnet dhe karrierë përpara për të luajtur për Kosovën. Besoj se do të bëhet një grup i fuqishëm. Kosova do të arrijë suksese, sepse ka një grup të lojtarëve goxha të talentuar dhe të rinj në moshë. Sigurisht se e kam menduar edhe mundësinë të luaj për Kosovën, por në fund vendosa për Finlandën ku dhe kam luajtur që nga viti 2009”, pati thënë Hetemaj për KOHËN më 9 janar të vitit 2018.