Sport

300 ndeshjet e Hetemajt në Serie A

Më 12 shtator të vitit 2010, një mesfushor luftarak po debutonte në Serie A. Ishte emër i panjohur dhe po luante ndeshjen e parë në kampionatin italian për një skuadër jo të madhe.

Shumë mund të kenë dyshuar që ai lojtar që kishte pasur disa përvoja të dështuara, do të mbijetonte gjatë në njërin prej kampionateve më të vështira në futboll.

Por, ata që kanë dyshuar kanë gabuar. Përparim Hetemaj të dielën mbrëma arriti shifër jubilare. U bë shqiptari i parë me 300 ndeshje të luajtura në Serie A.

Hetemaj ishte në qendër të mesfushës te Benevento të dielën mbrëma, në barazimin 1:1 në udhëtim me Torinon. Ishte ndeshje e xhiros së fundit (38) të edicionit 2020/2021 në kampionatin italian. Mbetet dilemë nëse Hetemaj 34-vjeçar, do të luajë më në Serie A.

Ndeshjen e së dielës e kompletoi, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë.

Kontrata e tij me Beneventon përfundon më 30 qershor. Për më tepër, Benevento nuk ka siguruar mbetjen në elitën italian. Më herët këtë javë u bë e qartë se Benevento nuk do të mund të largohet nga pozita e 18-të, që dërgon në Serie B.

Crotone e Parma largohen po ashtu nga elita, ndërsa Torino shpëton.

Hetemaj këtë edicion i ka luajtur 31 prej 38 ndeshjeve kampionale. Në Serie A kishte nisur në edicionin 2010/2011, kur kishte luajtur 30 ndeshje për Brescian. Më pas luajti tetë edicione rresht për Chievon. Më së paku luajti 23 ndeshje, ndërsa kryesisht i ka pasur mbi 30 ndeshje. Edicionin e kaluar e luajti në Serie B me Beneventon, me të cilën skuadër siguroi promovimin. Por, tani Benevento kthehet në Serie B. Me apo pa Hetemajn në përbërje, mbetet të shihet.

Hetemaj, që me prejardhje është nga Skenderaj, kishte nisur karrierën te HJK Helsinki në Finlandë. Herët ishte shquar. Tek AEK-u i Athinës fillimisht u shfaq mirë, por më pas humbi vendin. Luajti huazim te Apollon Kalamaris, kurse përvoja te Twente ishte e dështuar. Në shkurt të vitit 2010 kaloi te Brsecia. I luajti katër ndeshje në Serie B e në edicionin në vazhdim bashkë me skuadrën u promovua në Serie A. Dhe të dielën arriti në shifrën e 300 ndeshjeve.

Hetemaj i ka luajtur 50 ndeshje për Finlandën. Ka shënuar katër gola. Ai është larguar nga përfaqësuesja në vitin 2017, pasi vendosi të koncentrohet vetëm në klub. Kishte bërë kosovarët për vete kur në vitin 2016 kishte refuzuar të luajë kundër Kosovës për Finlandën. Ishte një respekt që i bënte në mënyrën e tij vendit të lindjes.