Sport

Hetemaj pret t’i përmbushë pritjet e Helsinkit

Përparim Hetemaj kalon te Helsinki

Përparim Hetemaj është prezantuar të enjten te klubi ku e nisi karrierën, HJK Helsinki. Me klubin finlandez, Hetemaj ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2023, me mundësi vazhdimi deri në fund të vitit 2024. Hetemaj është ndarë i kënaqur që i është bashkuar klubit të fëmijërisë, ndërsa ka theksuar për faqen zyrtare se pret t’i përmbushë pritjet e Helsinkit. Hetemaj 35-vjeçar të enjten është stërvitur me klubin, ndërsa të shtunën pritet të debutojë me fanellën numër 56 kundër Interit. Ndeshja nis në orën 15:00.

“Është vërtet bukur dhe ndoshta pak nostalgjike. Është klubi i vetëm që kam luajtur në Finlandë dhe është mirë që rrethi po mbyllet disi”, thotë Hetemaj.

Hetemaj karrierën e nisi në HJK Malmi në moshën gjashtëvjeçare. Me ekipin e parë të Helsinkit, ai debutoi në vitin 2006. Luajti 33 ndeshje për Helsinkin para se të huazohej te Klubi 04. Në vitin 2006 iu bashkua AEK-ut të Athinës. Edhe në Greqi pati një huazim tek Apollon Kalamari, ndërsa në vitin 2009 iu bashkua Tewntes në Holandë, ku u ballafaqua me lëndime. Në vitin 2010, futbollisti, që u lind në Kosovë, u largua drejt Italisë, ku luajti 300 ndeshje në Serie A dhe realizoi tetë gola në total.

Kohën më të mirë, Hetemaj e pati te skuadra e Chievos, ku zhvilloi plot 249 ndeshje dhe realizoi gjashtë herë. Te Chievo, ai për një periudhë ishte edhe kapiten. Pas tetë vjetësh në Chievo, ai luajti edhe për dy vjet të tjerë në Benevento dhe për më pak se një vit ishte te skuadra e Regginas. Ai e la skuadrën e Serie B, Regginan, dhe është i gatshëm tani që menjëherë të luajë për Helsinkin të shtunën kundër Interit. Helsinki e ka nisur sezonin me tri fitore në “Veikkausliiga”. Në vitin 2006 me Helsinkin ka fituar Kupën e Finlandës, derisa me Beneventon siguroi në vitin 2020 kalimin në Serie A.

“Është vërtet e madhe. Nuk e prisja të stërvitesha kaq shpejt, të njihja lojtarët dhe mënyrën se si ata luajnë. Pritjet e mia janë të larta dhe e di që edhe të tjerët presin shumë nga unë”, ka theksuar Hetemaj.

Edhe drejtori sportiv dhe zhvillimit te klubi finlandez, Mij Takkula, shprehet se transferimi i Hetemajt në klub është i rëndësishëm në shumë drejtime.

“Nga ana atletike , sigurisht që Perpa forcon ekipin tonë dhe na ndihmon në rrugën drejt objektivave që i kemi vënë vetes. Krahas kualitetit, ai jep një shembull të rëndësishëm për lojtarët tanë të rinj në punën e tyre të përditshme në klub, sepse Perpa është ai që e di më së miri se çfarë duhet për të krijuar një karrierë të gjatë profesionale jashtë vendit”, ka thënë Takkula.

Ai ka folur edhe për formën fizike që Hetemaj e ka aktualisht.

“Duka marrë parasysh të gjithë, liga ka fituar një lojtar të nivelit të lartë siç është Hetemaj. Perpa është më pak se dy javë larg 90 minutave të tij, kështu që ai ka mbërritur shpejt në klub”, ka thënë Takkula.

35-vjeçari kthehet në Finlandë, shtet me të cilin ka zhvilluar 49 ndeshje në nivel përfaqësuesesh. U pensionua nga Përfaqësuesja e Finlandës në vitin 2017.