Mesfushori Dijon Kameri i është bashkuar ekipit të parë të Salzburgut dhe ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2026, ka njoftuar ekipi austriak të martën. Kameri 18-vjeçar sezonin e fundit ishte pjesë e FC Liefering, ekipit të dytë të Salzburgut dhe prej sezonit 2022/23 do të jetë me ekipin e parë.
Në fakt, Kameri është zhvilluar si futbollist në akademinë e Salzburgut dhe vlerësohet ndër lojtarët më premtues të klubit.
Me fanellën e FC Liefering, ai pati një gol e katër asistime në 22 paraqitje në divizionin e dytë të Austrisë, kurse ishte edhe pjesë e ekipit të Salzburgut që u paraqit në UEFA Youth League, ku arriti deri në finale të kësaj gare. Kameri gjithashtu ka edhe katër paraqitje dhe dy gola të shënuar me Përfaqësuesen U18 të Austrisë.