Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Salzburgu të lumtur me debutimin e Kamerit, pritjet prej tij janë të mëdha

Dijon Kameri është 18-vjeçar, ndërsa tashmë ka debutuar te skuadra më e madhe në Austri, Red Bull Salzburgu.

Mesfushori ofensiv, me prejardhje nga Kosova, të shtunën luajti prej minutës së 73-të për Salzburgun, në fitoren 2:0 ndaj Klagenfurtit. Ndeshja i takoi xhiros së pestë të elitës austriake.

Në katër xhirot e para, Kameri luajti për Lieferingun, që shërben si ekip rezervë i Salzburgut. Shënoi një gol në kategorinë e dytë, ndërsa paraqitjet e mira i mundësuan gradimin në ekipin e parë të gjigantit austriak. Kameri është i rritur në Akademinë e Salzburgut, ndërsa në klub presin shumë prej tij. Në qershor, Kameri firmosi kontratë të re me Salzburgun, të vlefshme deri në vitin 2026. Dhe tani bëri hap tjetër para duke debutuar në Bundesligën e Austrisë.

Për debutimin e Kamerit në Bundesligën austriake, ka folur trajneri i Salzburgut. Matthias Jaissle. Ka thënë se Kameri “ia ngroh zemrën”.

“Kameri është një lojtar që ngroh zemrën e trajnerit. E kam njohur që nga ekipi U18, kur ai la përshtypjet e para. Që atëherë ai dëshmoi se sa lojtar i mirë është. Ai është paraqitur shumë mirë”, ka thënë Jaissle.

Salzburgu ka kohë që është pa konkurrencë në Bundesligën austriake. Ka fituar titullin e kampionit rregullisht që nga viti 2014. Thuajse rregullisht e fiton edhe Kupën e Austrisë. Tashmë po paraqitet rregullisht edhe në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Edicionin e kaluar avancoi prej grupit, ndërsa u ndal nga Bayerni në fazën nokaut. Në fazën grupore do të paraqitet sërish, ndërsa ka gjasa që edhe Kameri t’i fitojë minutat e parë në garën elitare evropiane.

Edhe Dijon Kameri, talenti i Salzburgut që krahasohet me Bruno Fernandesin Sport Dijon Kameri, talenti i Salzburgut që krahasohet me Bruno Fernandesin

Salzburgu është, po ashtu, i njohur për nxjerrjen e lojtarëve cilësorë. Ndër të tjera në këtë klub për një kohë është zhvilluar edhe Erling Haaland.

Pritjet nga Kameri janë të mëdha edhe në Federatën e Futbollit të Austrisë. Futbollisti me prejardhje nga Kosova dhe i lindur në Austri, ka luajtur për U15, U16, U17 e U18 të Austrisë. I ka 25 ndeshje tashmë, ndërsa i ka realizuar shtatë gola.