Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas golit të parë në Bundesligën e Austrisë, Kameri shpreson të luajë në Champions

Në minutën e 66-të u aktivizua. Në minutën e 79-të asistoi, ndërsa në minutën e 82-të realizoi vetë gol. Dijon Kameri po konfirmohet lojtar me të ardhme të ndritur te gjiganti austriak i futbollit, Red Bull Salzburgu.

Në ndeshjen e tij të dytë në Bundesligën austriake, talenti kosovar ia ka dalë të realizojë gol dhe asistim. Ai dha kontributin e tij në fitoren e thellë, 6:0.
Salzburgu të shtunën mbrëma fitoi në udhëtim ndaj Austria Lustenau. Për Kamerin, që luan për të rinjtë e Austrisë, ishte paraqitja e dytë rresht. Ai ka debutuar më 20 gusht ndaj Klagenfurtit. Të shtunën mori më shumë minuta dhe menjëherë shfaqi vlerat.

“Ishte ndjenjë e jashtëzakonshme kur topi hyri në rrjetë për golin tim. Ishte e mahnitshme. Është po ashtu fantastike që kam mundur të festoj me tifozët mysafirë. Po ndihem shumë mirë. Ekipi më ka pritur shumë mirë. Po ashtu, trajneri ka besim në aftësitë e mia. Kjo është e rëndësishme për mua”, ka thënë Kameri.

18-vjeçari luan mesfushor ofensiv. Është rritur te Salzburgu dhe te skuadra Liefering, ku Salzburgu dërgon lojtarët për zhvillim. Këtë edicion i kishte luajtur katër ndeshje për Liefereningun në kategorinë e dytë dhe më pas u gradua në ekipin e parë të Salzburgut.

Salzburgu paraqitet edhe në Ligën e Kampionëve. Me shumë mundësi edhe Kameri.

“Shpresoj të luaj në Ligën e Kampionëve po ashtu. Do të ishte diçka shumë e madhe për mua”, ka theksuar Kameri.

Salzburgu, i njohur për zhvillimin e duhur të lojtarëve të talentuar, është në grup me Milanin, Chelsean dhe Dinamo Zagrebin. Salzburgu më 6 shtator e pret Milanin.

Kameri aktualisht është pjesë e U18 të Austrisë. Por nëse vazhdon me paraqitje të rregullta te Salzburgu ai së shpejti do të jetë kandidat për vend në përfaqësuesen A të Austrisë.

Artikuj të ngjashëm