Skuadra e Juventusit ka mbetur pa brazilianin Alex Sandro të paktën për gjashtë javë. Ekipi italian të enjten ka konfirmuar lëndimin e mbrojtësit të krahut të majtë, i cili menjëherë i është nënshtruar fazës së rehabilitimit.
Sandro ka dëmtuar muskulin e kofshës së majtë në stërvitje dhe do t’i mungojë Juventusit në ndeshjet e ardhshme.
Sandro ishte i padiskutueshëm në dy ndeshjet e para të Juventusit këtë edicion, ndërsa në dy të fundit nuk u inkuadrua fare.
32-vjeçari ka kontratë me Juventusin deri në fund të këtij edicioni, ndërsa është pjesë e ekipit prej vitit 2015 kur iu bashkua nga Porto.
Ndeshjen e radhës në kuadër të kampionatit italian, Juventusi e luan të shtunën në udhëtim te Sassuolo. Pas katër ndeshjeve të zhvilluara deri më tani në Serie A, Juventusi ka tubuar 10 pikë.