Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Josip Plantakut i kanë mjaftuar dy ndeshje për ta kthyer besimin te Vëllaznimi

U prezantua si ndihmëstrajner para fillimit të këtij edicioni te Vëllaznimi, por Josip Plantak më shumë po dëshmohet si trajner i ekipit nga Gjakova që këtë edicion është kthyer në elitën e basketbollit kosovar.

Plantakun si ndihmës të tij te Vëllaznimi e mori Franko Sterle, i cili u largua pas pesë xhirove, ku regjistroi një fitore e katër humbje. Pas largimit të Sterles, ekipi iu besua vetëm për një ndeshje Plantakut, i cili menjëherë i bindi krerët e klubit për t’ia dhënë besimin si trajner deri në fund të edicionit. Në debutimin e tij si trajner, Plantak e befasoi në udhëtim Ponte Prizrenin. Vëllaznimi fitoi me rezultatin 88:71. Por kroati nuk u ndal me kaq. E udhëhoqi Vëllaznimin drejt fitores së dytë rresht. Këtë herë Plantak me Vëllaznimin shkaktoi befasi edhe më të madhe sesa në Prizren. Në palestrën e stërmbushur “Shani Nushi” në Gjakovë, Vëllaznimi të dielën triumfoi ndaj pretendueses kryesore për titull, Trepçës, 75:72. Me dy fitore në dy ndeshjet e tij të para si trajner, Plantak e ka ngritur Vëllaznimin në pozitën e pestë në tabelë me 10 pikë pas shtatë xhirove të zhvilluara.

Plantak për KOHËN ka thënë, të hënën, se nuk ka pritur ta ketë një debutim të tillë në krye të Vëllaznimit.

“Te Vëllaznimi erdha me ftesën e trajnerit Franko Sterle dhe për këtë e falënderoj përzemërsisht. Bashkëpunimi ishte shumë i mirë, është punuar mirë në çdo aspekt, por për fat të keq e gjithë kjo punë nuk u shfaq edhe në rezultate. Kur erdhi të ndërrimi, krerët e klubit më pyetën nëse jam i gatshëm për t’iu ndihmuar për një kohë të shkurtër. Pranova ta bëja këtë dhe menjëherë pas fitores ndaj Ponte Prizrenit arritëm marrëveshje për ta vazhduar bashkëpunimin”, është shprehur Plantak. “Debutimi ka qenë fantastik pasi në dy ndeshje arritëm dy fitore dhe atë ndaj kundërshtarëve të fortë. Si trajner, gjithmonë pret fitore dhe angazhim të madh të ekipit, gjë që më ndodhi mua në dy ndeshjet e para. Prejse e kam marrë ekipin jam fokusuar në punën në mbrojtje dhe kthimin e vetëbesimit për shkak të serisë së humbjeve që kishim”.

Edhe pse është hera e tij e parë si trajner i një ekipi në nivel seniorësh, dhe atë në Kosovë, Plantak ka njohuri të mjaftueshme për basketbollin kosovar. Josipi është i biri i trajnerit të njohur, Neven Plantak. Neven Plantak ka qenë trajner i Trepçës dhe i Rahovecit, ndërsa me skuadrën nga Mitrovica ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në vitin 2012.

Edhe Kroati Plantak sërish me mision për ta shpëtuar Vëllaznimin Sport Kroati Plantak sërish me mision për ta shpëtuar Vëllaznimin

“Sigurisht që kam qenë i njohur me basketbollin në Kosovë dhe e kam përcjell vazhdimisht Superligën. Kështu që kur kam ardhur te Vëllaznimi pak a shumë e kam ditur se çfarë më pret dhe isha i gatshëm për këtë punë”, shtoi Plantak i riu. Thotë se ka ende rrugë të gjatë për të arritur në nivelin e babait të tij. “Larg jam prej sukseseve të babait tim. Ai është trajner me më shumë përvojë se unë. Kështu që më duhet të mësoj shumë për ta arritur babanë tim”.

Josipi pranon se shpesh flet në telefon me të atin, por tregon se tema e bisedës nuk është basketbolli. Insiston se mundohen t’i ikin kësaj bisede.

“Me babanë flasim rregullisht, por bëjmë bisedë normale. Pra, nuk flasim për basketbollin aspak”.

Josip Plantak nuk përjashton mundësinë që të qëndrojë më gjatë në basketbollin e Kosovës.

“Tani për tani jam i koncentruar te Vëllaznimi dhe pastaj do të shohim se çfarë sjell e ardhmja”.

Përkundër dy fitoreve të arritura, Plantak thotë se lojtarët e tij duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të fokusohen te dueli i radhës.

Edhe Kroati Krstiq beson se Vëllaznimi do të jetë befasia e madhe e këtij edicioni Sport Kroati Krstiq beson se Vëllaznimi do të jetë befasia e madhe e këtij edicioni

Në ndeshjen e ardhshme Vëllaznimi e pret në Gjakovë skuadrën e Bashkimit dhe sipas Plantakut kjo do të jetë përballja më e rëndësishme për ekipin e tij këtë vit.

“Në secilën ndeshje pres nga ekipi që të jap më të mirën. Mirëpo duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos kemi synime të mëdha. Pra, të qëndrojmë te synimi që e kishim në fillim të sezonit, mbijetesa në Superligë. Ky mbetet synimi im deri në fund. Mendoj se liga është shumë e fortë dhe nuk ka asnjë ekip të dobët. Ndërsa palestrat po hijeshohen edhe më shumë nga tifozët që po i stërmbushin ato. Është kënaqësi të punosh apo ta drejtosh ekipin në atmosferë të tillë”.