Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Java vendimtare e Dinamos

Dinamo e Zagrebit do ta ketë një javë vendimtare, e cila mund ta përcaktoj fatin e ekipit më të madh kroat këtë edicion por edhe të trajnerit Sergej Jakiroviq.

Dinamo luan dy ndeshje të rëndësishme, njërën në Ligën e Konferencës dhe tjetrën në kampionat, të cilat shpreson t’i fitojë.

Të enjten mbrëma Dinamo e pret Ballkanin në duelin e xhiros së fundit të Grupit C të Ligës së Konferencës, ndërsa të dielën luan derbin me Hajdukun e Splitit. Fitorja ndaj Ballkanit do të bënte që Dinamo të avanconte në rundin nokaut të Ligës së Konferencës, ndërsa ajo ndaj Hajdukut do të ishte shumë e rëndësishme në garën për titullin e kampionit.

Aktualisht, Hajduku është lider në Kroaci me 40 pikë të mbledhura, shtatë më shumë se Dinamo që ka edhe dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Trajneri i Dinamos, Jakiroviq, ndeshjen me Hajdukun e ka vlerësuar si vendimtare në garën për titullin e kampionit. Por ka thënë se fillimisht fokusi do të jetë te Ballkani. Dinamos i mjafton edhe barazimi me Ballkanin, por Jakiroviq kërkon fitore pasi dëshiron që ekipi i tij të jetë maksimalisht i motivuar për derbi në kampionat.

Edhe Fitore e thellë e Hoxhës me Dinamo Zagrebin Sport 3 muaj më parë Fitore e thellë e Hoxhës me Dinamo Zagrebin

“Dueli me Hajdukun mund të jetë vendimtar për titullin e kampionit. Mirëpo, para këtij derbi na pret një ndeshje e vështirë me Ballkanin. Në këtë ndeshje duhet ta sigurojmë kalimin tutje si dhe të fitojmë nëpërmjet një paraqitjeje të mirë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne pasi e kemi një javë vendimtare”, ka thënë Jakiroviq për mediumet kroate.

Dinamo kishte pësuar nga Ballkani në Prishtinë, por tashmë është pranë fazës nokaut, përkatësisht plejofit të Ligës së Konferencës.