Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Isufi: Besuam në fitore; Josa i pakënaqur me ekipin

Drita ka arritur të fitojë sonte Superkupën e Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në një atmosferë të jashtëzakonshme të krijuar nga tifo-grupet Plisat dhe Intelektualët, ekipi nga Gjilani arriti të përmbysë rezultatin nga pjesa e parë dhe për herë të parë në histori të fitojë Superkupën.

Prishtina në pjesën e parë pati një dominim në terren, duke krijuar shumë shanse dhe madje pati edhe tri shtylla. Megjithatë, në këtë pjesë të lojës, ekipi prishtinas konkretizoi vetëm një gol përmes Makendës në minutën 34.

Edhe në pjesën e dytë skuadra prishtinase pati rastet e veta, por që lojtarët e saj nuk ishin precizë dhe kjo iu hakmor atyre pasi Drita shënoi dy herë, së pari përmes penalltisë nga Fidan Gërbeshi në minutën 64 dhe Betim Haxhimusës tetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Pas ndeshjes, trajneri i Prishtinës Mirel Josa tha se disa gabime individuale të të përzgjedhurve të tij ishin ato që ndikuan në epilogun e ndeshjes.

“Një skuadër nuk mund të mbajë të njëjtin ritëm gjatë gjithë lojës. Ne duhet të kishim qenë sa më efikas për sa i përket pjesës së parë, megjithatë pjesën e parë e mbyllëm me avantazh. Nuk do të thotë që të gjitha rastet të konkretizohen në gola, normal që ne kërkojmë më shumë. Në pjesën e dytë Drita e ngriti luftën në territoret që ne humbëm disa luftime ose mund të them që ne humbëm disa pasime shumë të thjeshta, ku kishim edhe topin në zotërim dhe nëpërmjet këtyre pasimeve të thjeshta që ne humbëm, Drita në dy herët që erdhi në golin tonë, na goditi”, tha Josa, raporton KsP.

Ndërsa, trajneri i Dritës, Bekim Isufi nuk mund të fshihte gëzimin për fitimin e trofeut të parë të Superkupës në historinë e klubit.

Edhe Drita e Prishtina luajnë për trofeun e parë të vitit Futboll Drita e Prishtina luajnë për trofeun e parë të vitit

“Prishtina tregoi një dëshirë më të madhe në pjesën e parë dhe ajo u pa qartë ku goditi edhe tri shtylla po nuk ka qenë që ne kemi mbrojtur, ndoshta ne nuk kemi bërë atë tranzicionin prej fazës së sulmit në fazën e mbrojtjes dhe këtu kemi çaluar duke aluduar edhe në mesfushë, ku ndoshta edhe në pjesën e parë nuk ka pasur ekuilibër. Edhe në vitin e kaluar Drita disa herë ka përmbys rezultatin dhe kjo ka treguar karakterin tonë, kështu që edhe në këtë ndeshje kemi besuar”, pohoi Isufi.

Ndryshe, ndeshja është inspektuar nga zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilët kanë marrë shënime në lidhje me organizimin dhe mbarëvajtjen e takimit.

Incidenti që ndodhi në pjesën e dytë kur tifozët e Dritës hodhën mjete piroteknike në fushë, ndikoi që ndeshja të ndërpritet për një kohë të shkurtër dhe kjo mund t’i kushtojë ekipit gjilanas me ndonjë dënim nga ana e organizatave kryesore botërore të futbollit.