Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, loja e fortë, dhe secila skuadër synon pikët e plota. Kështu kanë deklaruar trajneri i Prishtinës dhe Dritës, Arsim Thaqi dhe Zekirija Ramadani. Thaqi e Ramadani udhëheqin skuadrat që fituan trofetë kryesorë në vend, në sezonin e shkuar.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë nga ora 20:15, fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës, Prishtina, e pret kampionen e Superligës, Dritën, që regjistroi suksesin historik në Ligën e Konferencës.
Ky ballafaqim pas pushimit dyjavor, për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, i takon xhiros së katërt të elitës së futbollit kosovar.
Prishtina, Dukagjini dhe Ferizaj kanë nga gjashtë pikë në tri ndeshjet e para dhe kryesojnë tabelën. Ballkani është i katërti me pesë pikë në dy ndeshje. Katër pikë në dy ndeshje i ka Drenica në vendin e pestë, ndërsa Gjilani në vendin e gjashtë ka katër pikë në tri ndeshje. Prishtina e Re renditet e shtata me tri pikë. Llapi ka dy pikë në vendin e tetë. Nga një pikë kanë Drita dhe Malisheva në dy pozitat e fundit. Drita e ka një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Drenicës.
“Të dyja skuadrat edhe në të kaluarën kanë dhuruar duele të forta dhe lojëra me nivel. Këtë herë luajmë në stadiumin tonë, para tifozëve tanë ‘Plisat’, të cilët këtë sezon kanë qenë jashtëzakonisht të zjarrtë dhe na kanë mbështetur maksimalisht në çdo moment.
Kam shumë besim se futbollistët e mi do të tregojnë vlerat e tyre dhe do të japin maksimumin në fushë për ta arritur rezultatin që e dëshirojmë”, ka deklaruar për faqen zyrtare trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, që në të kaluarën e ka drejtuar edhe Dritën. Ramadani ndërkohë më parë e ka drejtuar Prishtinën.
Ramadani, nga katër titujt e fituar në Superligë si trajner, njërin prej tyre e ka me Prishtinën. Tri të tjerat i ka me Trepçën ’89, Feronikelin dhe Dritën.
Drita në derbin ndaj Prishtinës nuk do ta ketë kapitenin Rron Broja. Broja u lëndua në stërvitje, ndërsa grupit pritet t’i bashkohet të hënën.
“Do të jetë mbrëmje e veçantë me një atmosferë fantastike, në superstadium, me dy skuadra mjaft cilësore. Thjesht, ta shijojmë këtë mbrëmje dhe shpresoj që me angazhim nga secili futbollist i joni, të arrijmë te fitorja e parë për këtë edicion. Motivi do të jetë i lartë nga të dyja skuadrat”, deklaroi Ramadani për KOHËN.
Drita pati rrugë të gjatë në Evropë këtë edicion. E kaloi Differdangen në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, por u eliminua nga Copenhageni në rrethin e dytë. U bart në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, ku u mposht nga FCSB-ja rumune. Më pas në plejofin e Ligës së Konferencës e eliminoi Differdangen me rezultatin e përgjithshëm 3:1, për të bërë vend në fazën e ligës, në Ligën e Konferencës. Drita në këtë garë do të përballet me KuPS-in, Omonian, Shelbournen, Shkëndijën e Tetovës, AZ Alkmaarin dhe Rayo Vallecanon.
Ndeshjen e parë e luan në udhëtim ndaj KuPS-it më 2 tetor. Në fazën grupore të Ligës së Konferencës më parë ka luajtur edhe Ballkani i Suharekës.
Në Evropë luajti edhe Prishtina, por u eliminua në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës nga Sheriff Tiraspoli, dhe nga Larne në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje, që luhen nga ora 15:00 janë: Prishtina e Re – Llapi, Gjilani – Malisheva, Ballkani – Drenica dhe Dukagjini – Ferizaj.