Prej pesë klubeve sa i ka udhëhequr në Kosovë, trajneri Zekirija Ramadani, ka fituar katër tituj të kampionit. Trajneri aktual i Dritës suksesin e ka arritur me katër skuadra të ndryshme.
Ramadani titullin e parë të kampionit në Superligën e Kosovës e fitoi me Trepçën ’89 në edicionin 2016/17. Dy edicione më pas, trajneri shkupjan titullin e kampionit e fitoi me Feronikelin. Titullin e tretë e arriti me Prishtinën në edicionin 2020/21. E së fundmi e udhëhoqi Dritën sezonin e kaluar drejt titullit të katërt.
Ramadani me Trepçën ’89 e ka të fituar edhe Superkupën e Kosovës. Superkupën e ka fituar edhe me Prishtinën dhe Feronikelin. Me Feronikelin, e ka të fituar edhe një Kupë. Për një periudhë e ka drejtuar edhe Gjilanin.
Tashmë, trajneri 48-vjeçar synon ta kompletojë koleksionin e trofeve duke e fituar Superkupën edhe me Dritën.
Drita si kampione në fuqi të dielën nga ora 12:30 në Antalya të Turqisë do të takohet me fituesen në fuqi të Kupës së Kosovës, Prishtinën, në ndeshjen për Superkupën e Kosovës. Të dy skuadrat e kërkojnë trofeun e parë të vitit.
Ramadani të shtunën për KOHËN ka treguar pritshmëritë e tij. Ai ka treguar po ashtu pse kjo ndeshje është e veçantë për të.
“Çdo ndeshje që luhet për trofe ka emocion të veçantë dhe kur rival e ke Prishtinën kjo e bën më të veçantë. Për mua personalisht them që ka një emocion të veçantë për shkak që para pesë viteve në të njëjtin stadium me Prishtinën fituam Superkupën përballë Dritës e tash është e kundërta. Për mua është një ndeshje me emocion të veçantë. Ekipi ka punuar mirë disa ditë por dje e sot kushtet klimatike i kemi mjaft të vështira dhe e kanë vështirësuar pak formën e futbollistëve por kam bindjen që do nxjerrim ekipin më të mirë në fushë për ta fituar trofeun”, është shprehur Ramadani.
Drita është në kërkim të trofeut të dytë të Superkupës në histori. Këtë trofe Drita e fitoi në edicionin 2018/19. Skuadra gjilanase ka edhe një Kupë të Kosovës dhe katër tituj kampioni.
Drita këtë edicion shkroi edhe histori duke u kualifikuar në fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Fazën e ligës e përfundoi në pozitën e 20-të, me tetë pikë, dhe avancoi tutje. Celje sllovene do të jetë kundërshtari i radhës për Dritën.
Suksesin në Superkupë e kërkon edhe Prishtina që ka 11 trofe.
Trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, që po ashtu ka shumë suksese në futbollin kosovar pret fitore.
“Kemi qenë në fazë shumë të mirë të përgatitjeve. Mirëpo në tre ditët e fundit pengesa ka qenë reshjet e shiut të pandërprerë të cilat na kanë pamundësuar punën në fushë. Megjithatë për këto ditë prej se kemi filluar kemi bërë maksimumin, kemi pas një përgatitje shumë të mirë. Edhe transferimet e reja janë përshtatur shumë mirë. Shpresoj që nesër të kemi një ndeshje të fortë. Si ndeshje e parë sezonale, Superkupa dhe jemi të gatshëm për momentin në të cilin gjendemi”, ka thënë Tovërlani për faqen zyrtare të Prishtinës.
Tovërlani te Prishtina e zëvendësoi Arsim Thaqin.
Prishtina sezonin vjeshtor këtë edicion në Superligë e mbylli në vendin e dytë me 30 pikë. Lider është Ballkani me tri pikë më shumë.
Drita ka 29 pikë dhe renditet në pozitën e katërt.