Suedia do të ketë njërën prej përfaqësueseve më me përvojë në Kampionatin Botëror të futbollisteve, që të enjten fillon në Australi dhe Zelandë të Re. Kapitenja e Suedisë, Caroline Seger i ka plot 235 ndeshje ndërkombëtare. Shifër të jashtëzakonshme të paraqitjeve dhe të golave ka edhe Kosovare Asllani. Kosovarja ka luajtur deri më tani 170 ndeshje. Ka 44 gola të shënuar për Suedinë. 33-vjeçarja është bindshëm golashënuesja më e mirë e Suedisë prej lojtareve aktuale.
Sa i takon paraqitjeve, ajo është e gjashta në listën e lojtareve me më së shumti ndeshje te Suedia. E gjashta është edhe në listën e golashënueseve më të mira në histori të Suedisë. Është e arritur e mahnitshme duke ditur që Suedia është një prej përfaqësueseve më të mira në botë.
Në Botërorin e kaluar, në vitin 2019 në Francë, Suedia ishte e treta. E treta ishte edhe në vitin 2011, ndërsa në vitin 2003 luajti në finale. Vlerësohet përfaqësuesja bindshëm më e madhe që nuk e ka fituar ende Botërorin.
Në dy Olimpiadat e kaluara, Suedia ishte nënkampione. Në Evropianin e fundit ishte në gjysmëfinale. Në sukseset e Suedisë nga viti 2008 e tutje, kontribut ka dhënë edhe Kosovarja, futbollistja me prejardhje nga Mitrovica, që është e lindur dhe e rritur në Suedi.
Suedia kërkon suksesin edhe në Botërorin në Australi dhe Zelandë të Re. Botërori mbahet deri më 20 gusht, ndërsa marrin pjesë 32 përfaqësuese.
Të enjten janë ndeshjet Zelanda e Re – Norvegjia (Grupi A), Australia – Irlanda (Grupi B). Suedia ndeshjen e parë e luan më 23 korrik. Në Wellington të Zelandës së Re takohet me Afrikën e Jugut. Nuk pritet që Suedia të ketë telashe për ta kaluar Grupin G, ku bëjnë pjesë edhe Italia dhe Argjentina.
Përvoja e Kosovares natyrisht pritet t’i shërbejë Suedisë, ndonëse ajo së fundi ka pasur telashe me lëndime. Por deri te ndeshjet e rëndësishme ka ende kohë.
Pos me përfaqësuesen e Suedisë, Asllani ka pasur karrierë të madhe edhe me skuadra. Sulmuesja ka një vit që është te Milani në Itali. Real Madridi, CD Tacon, Linkopings, Manchester City, Paris Saint-Germain, Kristianstads, Chicago janë skuadrat tjera ku ka luajtur Kosovarja. Te Linkopingsi i Suedisë ishte në tri periudha të ndryshme.
Në ngjarje të mëdha ka luajtur shumë herë dhe mbetet të shihet nëse nga Zelanda e Re do të kthehet n Evropë si fituese e madhe.