Futbollistja 35-vjeçare me përvojë të madhe ka arritur gjithçka në karrierë. Me një përjashtim.
“Ajo që më mungon është medalja e artë. Kjo është e vetmja gjë që më mungon”, thotë Kosovare Asllani.
Ajo debutoi për përfaqësuesen e Suedisë në moshën 19-vjeçare në një ndeshje kualifikuese të Evropianit kundër Rumanisë në vitin 2008. Luajti si sulmuese krahu. Sot është kapitene e ekipit dhe luan rolin e saj të preferuar, pas sulmueseve.
Karriera 17-vjeçare e Kosovares në ekipin përfaqësues të Suedisë e impresionon edhe vetë atë.
“Jam shumë krenare. Nuk e kisha menduar kurrë se do të qëndroja këtu duke luajtur ndeshjen e 200 ndërkombëtare, se do të kisha paraqitje në pesë Evropianë dhe njëmbëdhjetë kampionate në total. Këto shifra janë marramendëse”, thotë Asllani.
Turneu i fundit
Ajo bëri paraqitjen e 199-të në ndeshjen ndaj Norvegjisë javën e kaluar. Nëse gjërat shkojnë siç duhet, ajo do të arrijë shifrën e 200 paraqitjeve në ndeshjen hapëse të Evropianit, të premten kundër Danimarkës në Gjenevë.
Vetëm Caroline Seger me 240 dhe Therese Sjogran me 214 e kanë kaluar shifrën e 200 ndeshjeve me Suedinë.
“Është shifër jashtëzakonisht e madhe. Nuk e kisha planifikuar dhe menduar kur nisa të luaja për Suedinë. Nuk e dini asnjëherë se si do të shkojë karriera, pavarësisht se sa e mirë je. Sepse ka të bëjë me zgjedhjet që bën dhe sa besojnë trajnerët te ti. Do të jetë madhështore të arrij shifrën e 200 ndeshjeve – nëse jam mirë”, ka theksuar Kosovare Asllani.
Kampionati Evropian në Zvicër për Asllanin do të jetë i fundit, ka konfirmuar ajo. Se kur do të pensionohet nga ekipi përfaqësues i Suedisë nuk është aq e qartë.
Për shembull Suedia në vjeshtë luan ndeshje të plejofit të Ligës së Kombeve, në të cilën edhe Asllani ka dëshirë të jetë.
A do të ketë rëndësi për të ardhmen ajo se si do të rrjedhin gjërat në Evropian?
“Nuk e di. Nëse fitojmë medaljen e artë, atëherë do të jetë fund perfekt. Por do ta shohim”.
Premtimet
Pa dyshim që ajo nuk do të bëjë përpjekje për të thyer rekordin e Caroline Seger.
“Unë nuk jam Seger. Nuk do të arrij të luaj 240 ndeshje ndërkombëtare. Në fakt e takova Segerin gjatë pushimeve dhe i thashë, ‘mos u shqetëso, nuk do ta thyej rekordin’”.
Kosovarja përpiqet të mos mendojë për faktin se së shpejti nuk do ta veshë më fanellën blu e verdhë.
“Jam përpjekur të jem në të tashmen dhe të mos mendoj për atë që vjen. Ajo për të cilën jam përpjekur të mendoj më shumë është se ka pasur një domethënie të jashtëzakonshme për mua. Jam shumë krenare për karrierën time dhe mirënjohëse për gjithçka që kam përjetuar”, ka thënë Asllani.
Suedia hap Evropianin kundër Danimarkës të premten. Finalja do të luhet më 27 korrik.