Futboll

Kosovarja ia dha fanellën e veçantë tifozes nga Kosova: Ishte moment i bukur

kosovare asllani

Gjenevë, 10 korrik – Kapitenia e Suedisë në futboll, Kosovare Asllani, planifikonte ta mbante për vete fanellën që e veshi në ndeshjen e 200-të me përfaqësuese. Ajo e regjistroi paraqitjen e 200-të në fitoren 1:0 ndaj Danimarkës, më 4 korrik. Por lutjet e një gruaje shqiptare nga tribunat, ndërsa Kosovarja po largohej nga fusha, ia ndërruan mendjen yllit ndërkombëtar të futbollit.

“Ajo ishte në moshën e nënës sime dhe mendova: ‘Nëse ajo e do vërtet, atëherë duhet ta ketë’. Unë gjithsesi kam shumë fanella në shtëpi”, ka thënë Asllani.

Ajo ka treguar për rastin pas fitores 3:0 të Suedisë ndaj Polonisë, të martën. Me këtë fitore, Suedia avancoi në çerekfinale të Evropianit që po mbahet në Zvicër.

Asllani në ndeshjen e parë asistoi, ndërsa në të dytën shënoi gol dhe asistoi. Tani i ka plot 201 paraqitje dhe plot 49 gola për Suedinë.

“Doja ta mbaja fanellën. Por kur zëri i gruas tingëllonte aq fuqishëm derisa thërriste ajo, atëherë vendosa ta dhuroja”.

35-vjeçarja Asllani është me prejardhje nga Mitrovica. Gazeta suedeze “Expressen”, ka shkruar se tifozoja ishte një banore 60-vjeçare e Gjenevës me emrin Flora dhe me prejardhje nga Kosova.

“Ishte moment i bukur. E dija që ishte nga Kosova, më thirri shqip. Ishte në moshën e nënës sime dhe shumë e ëmbël. E meritonte”, ka shtuar Asllani.

Për veprimin e saj kanë shkruar mediumet e fuqishme ndërkombëtare, pos atyre në Suedi.

Tifozja që mori fanellën tha se Kosovarja ishte lojtarja e saj e preferuar. Ka treguar planin që ka me fanellën e Asllanit.

“Do ta marr fanellën me vete në Kosovë, prej nga janë prindërit e saj. Do ta ndajë gëzimin tim me tifozët e Kosovares atje”, ka thënë Flora për “Expressen”.

Në videon e publikuar nga ky medium, Asllani është parë se ka hezituar në fillim që ta dhurojë fanellën e veçantë. Por pas insistimit të tifozes, ajo është kthyer dhe ia ka hedhur fanellën në tribunam ndërsa është parë e buzëqeshur. E gëzuar është parë edhe tifozja.

Asllani po e udhëheq si kapitene Suedinë në Kampionat Evropian. Tani Suedia luan me Gjermaninë për vendin e parë në grup, ndërsa synon titullin e kampionit të Evropës. Kosovarja po shkruan histori të futbollit me Suedinë, ndërsa me veprimet e saj po i bën të gjithë për vete.

 

@expressensport

Kosovare Asllani ville behålla matchtröjan efter sin 200:e landskamp. Men det fick hon inte – i stället var det hennes superfan, 60-åriga Flora från Kosovo, som fick den historiska tröjan. Flora kämpade hört för den – och att hon blev minst sagt glad. Hur glada skulle ni bli om ni fick en tröja? #fördig #nyheter #fyp #foryou #expressen #fotboll #flora #kosovare #kosovareasllani #swewnt #kosovo

♬ original sound  - expressensport