Futboll

Goli ndaj Serbisë, pikë tjetër e ndritur në karrierën e mahnitshme të Kosovares

Kosovare Asllani

Futbollistja Kosovare Asllani ka vendosur që pas Evropianit të vitit të ardhshëm t’i japë fund karrierës me Përfaqësuesen e Suedisë. Karriera e saj ndërkombëtare është e mahnitshme. Kosovarja i ka 192 ndeshje tashmë. Në Evropian mund të arrijë shifrën e 200 ndeshjeve. I ka edhe 47 gola. Të fundit deri më tani e realizoi të martën ndaj Serbisë

“Shihemi në Zvicra 2025!”

Kjo është fjalia që ka shoqëruar disa fotografi të Kosovare Asllanit në postimin e saj në rrjetet sociale, pasi si kapitene udhëhoqi Suedinë drejt fitores 6:0 ndaj Serbisë. Me fitoren e së martës mbrëma në Stockholm, Suedia dhe Asllani siguruan pjesëmarrjen në një tjetër ngjarje të madhe – Evropianin që vitin tjetër mbahet në Zvicër.

Suedia e ka vendin në Evropian. Do të ishte befasi sikur të mos kualifikohej. Fitorja e thellë ndaj Serbisë, po ashtu, ishte e pritur. Niveli i futbollit të grave e vajzave në Suedi është shumë i lartë. Ndër të tjera edhe për shkak të Kosovare Asllanit.

Ajo ngadalë po i afrohet shifrës prej 200 ndeshjeve ndërkombëtare. Për shumë kohë 200 ndeshje edhe në nivel klubesh janë vlerësuar shifër për t’u ndier krenar. Dhe Asllani po i afrohet kësaj shifre me njërën prej përfaqësueseve më të mira të futbollisteve në botë.

Aktualisht i ka 192 ndeshje me Suedinë e plot 47 gola. Me Suedinë i ka fituar 115 ndeshje.

Vetëm legjendat Caroline Seger dhe Therese Sjogran kanë më shumë ndeshje me Suedinë se Asllani. Seger i ka plot 240, ndërsa Sjogran 214. Sa për krahasim, Anders Svensson është futbollisti me më së shumti paraqitje te Suedia – 148. Zlatan Ibrahimoviq i ka 122.

Dhe Kosovarja ka arritur në shifrën e 192 ndeshjeve. Ajo mund ta përfundojë karrierën me 200 ndeshje ndërkombëtare, pak më shumë, apo edhe ndonjë më pak. Ka njoftuar se pas Evropianit të vitit të ardhshëm nuk do të luajë më për Suedinë. Suedia i ka dy ndeshje në muajin shkurt, dy në prill dhe nga një në fund të majit e fillim të qershorit. Evropiani mbahet gjatë korrikut, ndërsa pritet të ketë ndonjë miqësore të Suedisë para tij. Kështu që shifra prej 200 ndeshjeve është plotësisht e arritshme për 35-vjeçaren.

Pas ndeshjes me Serbinë, Kosovarja njoftoi se nuk e mendon paraqitjen në Botërorin 2027.

“Është rrugë e gjatë deri te kampionati i ardhshëm. Nuk do të vazhdoj aq gjatë”, ka thënë Asllani.

Ajo vazhdon të jetë e motivuar dhe po ashtu në gjendje të mirë fizike.

“Por ndiej se isha e përfshirë për shumë kohë të gjatë. E përsëris, është rrugë e gjatë deri te kampionati i ardhshëm dhe tani jam e fokusuar vetëm te Evropiani i vitit të ardhshëm”.

Kosovare Asllani thotë se gjithnjë është kënaqësi të luash në ngjarje të madhe. Ka pritur që t’i humbë motivi me kohë, por kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, ajo ka vendosur ta lëshojë vendin për lojtaret e gjeneratës së re.

“Do të ishte ndjenjë e mirë të përfundojmë në krye. Për mua do të ishte shumë mirë të fitoj të artën në kampionatin e fundit. Më pas kemi gjeneratën e re që po vjen”, ka theksuar Asllani.

Bashkëlojtaret kanë premtuar maksimumin për ta përcjellë Kosovaren me medalje të artë evropiane.

“’Kosse’ është futbolliste fantastike dhe njeri fantastik. Ajo duhet të sigurohet që të shijojë herën e fundit. Sa i takon synimit për të artë, unë jam me atë mendim. Ndiej se është koha për të dërguar gjërat në nivel tjetër”, ka thënë Johanna Rytting Kaneryd.

Filippa Angeldahl ka thënë se Kosovarja është lojtare jashtëzakonisht e rëndësishme për Suedinë dhe se duhet të angazhohen për të bërë diçka të madhe.

Magdalena Eriksson ka thënë se tërheqja e Kosovares do të jetë motiv për angazhim shtesë për të pasur sukses në Evropian.

Fridolina Rolfo e Zeqira Musoviq, po ashtu, folën me shumë respekt për Asllanin dhe kontributin e saj për futbollin e Suedisë.

Evropiani 2025 do të jetë vetëm ngjarja e radhës e madhe për Asllanin dhe e fundit. Ajo ka luajtur në shumë Kampionate Evropiane e shumë Kampionate Botërore. Ka të fituara dy medalje të argjendta olimpike dhe dy medalje të bronzta botërore, ndër të tjera. Në Evropian ka arritur deri në gjysmëfinale në disa raste. Por pa luajtur finalen e madhe, që e synon në Zvicër në vitin e ardhshëm.

Edhe në nivel klubesh karriera e Asllanit është e mahnitshme. Aktualisht luan për London City Lionesses. Milan, Real Madrid, Manchester City, PSG, Chicago janë disa prej ish-klubeve të saj.

Goli i së martës ndaj Serbisë ishte i lehtë dhe jo me ndonjë peshë të madhe, marrë për bazë karrierën e Kosovares. Por ka gëzuar shumë njerëz në Kosovë. Dhe është një tjetër moment krenarie në karrierën e mahnitshme të Kosovare Asllanit.