Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Asllani po e udhëheq si kapitene Suedinë drejt suksesit të ëndërruar

Kosovare Asllani ishte kapitene e Suedisë që të premten shënoi fitore jo të lehtë në Kampionatin Botëror të futbollisteve. Në Auckland të Zelandës së Re, Suedia fitoi 2:1 ndaj Japonisë. Ishte ndeshje çerekfinale e Kupës së Kosovës.

Asllani kishte ndeshje të mirë, ndërsa si kapitene po e udhëheq Suedinë drejt synimit të madh – titullit të kampionit të botës. Suedia vlerësohet prej përfaqësueseve më cilësore në botë, por nuk e ka fituar ende Botërorin.

Në vitin 2003 u mposht në finale, ndërsa tri herë fitoi medaljen e bronztë. Në Australi e Zelandë të Re e kërkon medaljen e artë.

“Qartë se nuk jemi të kënaqur me gjysmëfinale, duam të shkojmë deri në fund”, ka thënë Kosovare Asllani pas fitores ndaj Japonisë, të premten. “Besoj fuqishëm në ekipin tim dhe do të jemi më tepër se gati të martën”, ka shtuar mesfushorja ofensive.

Në gjysmëfinale Suedia takohet me Spanjën. Edhe ajo ndeshje e 15 gushtit luhet në Auckland. Spanja të enjten fitoi 2:1 ndaj Holandës, pas vazhdimeve.

Edhe Lotët e Kosovares pas dështimit të radhës me Suedinë Sport Lotët e Kosovares pas dështimit të radhës me Suedinë

Ndërkohë Suedia krijoi epërsi 2:0 ndaj japonezeve të papërshtatshme. Amanda Ilestedt shënoi për 1:0 në minutën e 32-të, ndërsa Filippa Angeldahl realizoi penallti në minutën e 51-të për 2:0. Japonia shënoi golin në minutën e 87-të.

Kosovare Asllani luajti deri në minutën e 73-të.

“Nuk kemi dashur t’ua lëmë topin shumë në pronësi japonezeve, sepse ashtu janë më të mirat. Kemi bërë presion të lartë, ishim agresive në duele”, ka thënë Asllani lidhur me ndeshjen.

Ajo ka folur edhe për atmosferën në përfaqësuese.

“Shpirti ekipor është më i rëndësishmi për ne. Ne vërtet kënaqemi duke qenë bashkë. Nëse je e lumtur jashtë fushës, kjo shfaqet edhe në fushë. Nëse i besoni njëra-tjetrës jashtë fushës, ju i besoni njëra-tjetrës edhe në fushë. Duhet të punohet në gjëra të tilla dhe ne e bëjmë këtë çdo ditë. Kjo është anë shumë e fortë e skuadrës”, ka shtuar 34-vjeçarja.

Ajo në fakt është kapitenia e dytë e skuadrës. Kapitenia e parë është Caroline Seger. Por Seger nuk po luan rregullisht në Botëror dhe sa herë që mungon ajo, Kosovarja merr shiritin e kapitenes.

Asllani është lojtare e Milanit. Më herët ishte te Real Madridi, Taconi, Linkopingu, Manchester City, PSG-ja, Kristianstadsi e Chicago. Për Suedinë i ka 172 ndeshje e 44 gola. Vetëm kapitenia Seger ka më shumë ndeshje.

Edhe I ka plot 170 ndeshje ndërkombëtare, Kosovare Asllani paraqitet në tjetër Botëror me Suedinë Sport I ka plot 170 ndeshje ndërkombëtare, Kosovare Asllani paraqitet në tjetër Botëror me Suedinë

“Jam shumë krenare me paraqitjen e ekipit. E kemi ditur se kemi përballë një ekip shumë të mirë. Kemi punuar mirë sot. Nuk u kemi lënë shumë topa kundërshtareve dhe kjo ka krijuar shumë hapësirë për ne në fazën ofensive”, ka thënë Asllani.

Në grupe Suedia fitoi 2:1 ndaj Afrikës së Jugut, 5:0 ndaj Italisë dhe 2:0 ndaj Argjentinës. Në një të tetën e finales, Suedia fitoi me penallti ndaj SHBA-së, favorites kryesore të Botërorit. Tani e kaloi Japoninë dhe mund të bëhet gati për ndeshjen e vështirë me Spanjën.