Sport

Humbja e Kosovës nga Norvegjia arsyetohet me “procesin e ndërtimit”

Te Përfaqësuesja e Norvegjisë në basketboll i janë gëzuar pa masë fitores ndaj Kosovës. Madje fitoren e së enjtes norvegjezët e kanë vlerësuar historike. Përgjegjësit kanë thënë se ky triumf është pikënisje për Norvegjinë, që pas dy dekadave është kthyer në kualifikime evropiane. Norvegjia në Bergen triumfoi ndaj Kosovës me shifrat 86:77 në ndeshjen e parë të fazës së parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.

Përderisa te Norvegjia kishte gëzim, te Kosova zhgënjimi ishte i dukshëm. Në fakt pritjet ishin të mëdha që Kosova të startonte me fitore përballë Norvegjisë, që ka munguar gjatë në skenën evropiane. Për Kosovën kjo ishte humbja e tretë në po aq ndeshje të luajtura këtë vit, ndërsa e pesta në pesë ndeshjet e fundit, duke i llogaritur edhe ato që i ka zhvilluar vitin e shkuar.

Katër ndeshjet e para, Kosova i humbi në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023, ndërsa tani me disfatë i ka nisur edhe parakualifikimet për “Eurobasket 2025”.

I zhgënjyer me këtë start të Kosovës është edhe përzgjedhësi Christos Marmarinos. Greku Marmarinos të premten për KOHËN ka pranuar se “Dardanët” nuk arritën ta përfundonin ndeshjen ashtu siç dëshironin. Mirëpo ka thënë se duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të vazhdojnë të luftojnë. Sipas përzgjedhësit, Kosova është në një proces të ndërtimit dhe për këtë arsye nganjëherë rezultatet nuk janë të kënaqshme. Ai shtoi se Kosova do të vazhdojë të punojë për krijimin e gjeneratës së re. Lojtarë si Dardan Berisha, Drilon Hajrizi e Erjon Kastrati janë bartës të lojës te Kosova. Dhe ata nuk i takojnë “gjeneratës së re”.

“Është më se e qartë që kur e luan një ndeshje dhe nuk e fiton, atëherë nuk mund ta vlerësosh në mënyrën më të mirë të mundshme apo ashtu si duhet. Ne u munduam të japim më të mirën ndaj Norvegjisë, por nuk bëmë shumë edhe për shkak të aftësive atletike, pavarësisht se basketbollistët u përpoqën maksimalisht. U afruam mirë në lojë me një mbrojtje të fortë që është e rëndësishme në basketbollin ndërkombëtar, por nuk arritëm ta përfundonim në mënyrën se si dëshiruam”, është shprehur Marmarinos. “Gjëja më e rëndësishme është që të qëndrojmë të bashkuar, të luftojmë dhe t’i bëjmë krenar të gjithë. Ne nuk do të dorëzohemi”.

Kosova të premten është kthyer nga Bergeni i Norvegjisë, ndërsa të shtunën do t’i kryejë dy seanca stërvitore për të qenë më e gatshme për duelin e radhës në kuadër të Grupit C, atë me Danimarkën që e luan të dielën në Prishtinë.

“E kuptoj se të gjithë duan të fitojmë, përfshirë edhe ne. Por duhet ta kemi parasysh se krahas fitores ka edhe çështje të tjera. Ne po punojmë për të arritur deri te fitorja, por janë edhe disa gjëra që duhet t’i kalojmë”, u shpreh Marmarinos. “Jemi në procesin e ndërtimit dhe krijimit të gjeneratës së re, kështu që gjatë këtij rrugëtimi rezultatet mund të mos jenë të kënaqshme për të gjithë, edhe tifozët. Këtë nuk e shohin edhe të tjerët pasi duan të fitojmë, që është normale, por ne do të vazhdojmë me procesin e ndërtimit dhe kjo ka shumë rëndësi për basketbollin e Kosovës”.

Takimi me Danimarkën nis në orën 19:00 dhe luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Edhe me Danimarkën, sikurse me Norvegjinë, Kosova do të përballet për herë të parë. Danimarka vlerësohet favorite e grupit.

“Krahas këtij procesi të ndërtimit e kemi edhe ndeshjen që e luajmë me Danimarkën të dielën. Danimarka është një ekip me përvojë dhe shumë i fortë. Por ne do të mundohemi të luajmë sa më mirë, të kemi paraqitje të mirë, të japim maksimumin dhe të nxjerrim rezultatin më të mirë të mundshëm nga kjo përballje”, ka insistuar Marmarinos.

Përderisa te Kosova po arsyetohen me procesin e ndërtimit, te Norvegjia janë të bindur se pas triumfit ndaj “Dardanëve” po i presin ditë të mira.

“Ishte një fitore tërësisht magjike. Është start i një aventure për basketbollin e Norvegjisë që po rikthehet gradualisht në skenë. Ne kemi filluar ta ndërtojmë rrugën për ngritjen e basketbollit të Norvegjisë dhe këtë e kemi paralajmëruar me fitore. Dhe ky është vetëm fillimi”, ka paralajmëruar presidenti i Federatës së Basketbollit të Norvegjisë, Jan Hendrik Parmann.