Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hoxha kaloi te Dinamo për të qenë titullar

Arbër Hoxhës i mjaftoi faza përgatitore te Dinamo Zagrebi për ta bindur trajnerin Sergej Jakoroviq se meriton një vend titullari në ekipin e tij për pjesën e dytë të këtij edicioni. Në fakt, edhe vetë Jakiroviqi ka pranuar se Hoxha do të jetë në formacionin e parë duke shtuar se ai është lojtari më i mirë i krahut të majtë në kampionatin e Kroacisë. Hoxha në fillim të javës së shkuar iu bashkua Dinamos nga Slaven Belupo.

Ai u transferua te Dinamo si përforcim në krahun e majtë dhe ishte kërkesë personale e trajnerit Jakiroviq. 25-vjeçari prej fillimit të vitit 2022 ishte pjesë e Slaven Belupos, ndërsa këtë edicion ishte ndër lojtarët kryesorë të ekipit. Në 20 paraqitje në të gjitha garat Hoxha shënoi pesë gola dhe bëri tri asistime, ndërsa në Kroaci ka luajtur edhe për Lokomotivën e Zagrebit. Në një intervistë për mediumet kroate të enjten, Jakiroviqi ka zbuluar se jo vetëm Hoxha por edhe përforcimet e tjera të janarit janë adaptuar menjëherë te Dinamo.

“Hoxha është shumë afër për të qenë titullar pasi është përshtatur dhe ka punuar mirë gjatë fazës përgatitore”, është shprehur Jakiroviq.

Ai ka fjalë të mëdha për Hoxhën, i cili është zhvilluar si lojtar në Kosovë dhe ka luajtur për Ballkanin, Prishtinën e Besën e Pejës. Hoxha u largua nga Ballkani në verën e vitit 2021 drejt Kroacisë dhe tani është pjesë e Dinamos, ekip me synime të mëdha si në kampionat ashtu edhe në garat e UEFA-s.

“Dinamo ka blerë gjithmonë në HNL, pyetja e vetme është nëse ka cilësi në HNL. Tani e kemi vlerësuar që Hoxha është i vetmi dhe kur skauton pozicionin e krahut të majtë mendoj se Hoxha jashtë Dinamos është më i miri në Kroaci. Nuk ka rëndësi se nga është lojtari nëse sjell cilësi”, ka insistuar Jakiroviqi. “Ne kemi vlerësuar se ky lojtar duhet të jetë Arbër Hoxha”.

Edhe Hoxha “harrohet” te Dinamo, mund t’i rrezikohet Evropiani Futboll Hoxha “harrohet” te Dinamo, mund t’i rrezikohet Evropiani

Me Hoxhën dhe transferimet e tjera të janarit Jakiroviqi insiston se Dinamo synon titullin e kampionit.

Ai është i bindur në këtë sukses me Dinamon, ekip që do të luajë edhe në fazën nokaut të Ligës së Konferencës. Në këtë fazë Dinamo do të përballet me ekipin nga La Liga, Real Betisin. Te Dinamo nuk e kanë mendjen te Betisi, por në kampionat, pasi ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti e luajnë javën tjetër (23 janar) në udhëtim te Lokomotiva e Zagrebit. Kjo është ndeshje e mbetur e xhiros së katërt pasi pjesa e dytë e edicionit në futbollin kroat nis tri ditë më vonë. Dinamo aktualisht zë vendin e tretë në tabelë me 34 pikë të tubuara, shtatë më pak se Hajduku i Splitit që ka dy ndeshje më shumë të luajtura. Në vendin e dytë është Rijeka me 35 pikë dhe një ndeshje më shumë se Dinamo.