Mbrojtësi kosovar, Andi Hoti, karrierën do ta vazhdojë në Bundesliga 2.
Hoti të premten është prezantuar nga Magdeburgu, skuadra e kategorisë së dytë gjermane. 20-vjeçari u transferua te Magdeburgu nga klubi i madh italian, Inter. Së fundi ai ishte i huazuar te Freiburg II.
Hoti është i lindur në Zvicër. Është zhvilluar te skuadrat Volketswil, Bauma dhe Zuerich. Te Zuerichu ka luajtur për U16 dhe U18. Me 18-vjeçarët kishte 14 ndeshje dhe tri gola.
Në janar të vitit 2020 kishte kaluar tek ekipi U17 i Interit. Më pas luajti edhe për U18 të Interit, ndërsa ka fituar titullin e Italisë për juniorë.
Në verën e vitit të kaluar mbrojtësi i qendrës u huazua te Freiburg II në kategorinë e tretë gjermane. Për të ishte përvoja e parë në futbollin e të rriturve. Nisi menjëherë me paraqitje dhe regjistroi 23 paraqitje, duke shënuar një gol dhe duke asistuar një herë.
Mbrojtësi i gjatë 191 centimetra ka dy paraqitje për U17 të Kosovës dhe tetë për U21 të Kosovës. Ditë më parë shënoi gol në fitoren e Kosovës U21 ndaj Estonisë. Te Magdeburgu presin shumë nga kosovari i ri.
Edhe
Dresdeni prish marrëdhëniet me Magdeburgun për Hotin
“Me Andi Hotin kemi fituar një lojtar të stërvitur shumë mirë që dëshiron të bëjë hapin e radhës. Ai ka potencial për t’u stabilizuar në Bundesliga 2. Ndryshimi është realizuar disa kohë më parë, por është dashur të kompletohet ana formale, që tani është në rregull”, ka thënë drejtori sportiv i Magdeburgut, Otmar Schork.
“Andi është mbrojtës qendror i ri dhe i talentuar që sjell shpejtësi dhe forcë në duele”, ka thënë trajneri i Magdeburgut, Christian Titz.
Edicionin e kaluar Magdeburgu përfundoi i 11-ti në Bundesliga 2. Ka histori të pasur.