Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hoti flet për lidhjen e fortë me Kosovën

Andi Hoti flet rrjedhshëm disa gjuhë. Shqip, gjermanisht, anglisht, italisht. Është i lindur në Uster, qytet në afërsi të Zuerichut, por lidhja e tij me Kosovën është shumë e fortë.

“E çmoj origjinën e prindërve të mi. Më mbush me krenari sa herë që shkoj në Kosovë. Ajo që më mungon më shumë nga Zvicra është familja dhe miqtë e mi”, ka thënë Hoti për “Bild” të dielën.

Mbrojtësi i gjatë 191 centimetra, ka dy paraqitje për U17 të Kosovës dhe tetë për U21 të Kosovës. Ditë më parë shënoi gol në fitoren e Kosovës U21 ndaj Estonisë.

Së fundi ai iu bashkuar Magdeburgut të Bundesliga 2. Te Magdeburgu presin shumë nga kosovari i ri.

20-vjeçari u transferua te Magdeburgu nga klubi i madh italian, Inter. Së fundi Hoti ishte i huazuar te Freiburg II, po ashtu në Gjermani por në nivel më të ultë.

Mbrojtësi i qendrës është zhvilluar te skuadrat Volketswil, Bauma dhe Zuerich. Te Zuerichu ka luajtur për grupmoshat U16 dhe U18.

Në janar të vitit 2020 kishte kaluar tek ekipi U17 i Interit. Më pas luajti edhe për U18 të Interit, ndërsa ka fituar titullin e Italisë për juniorë.

Në verën e vitit të kaluar u huazua te Freiburg II në kategorinë e tretë gjermane. Për të ishte përvoja e parë në futbollin e të rriturve. Nisi menjëherë me paraqitje dhe regjistroi 23 paraqitje, duke shënuar një gol dhe duke asistuar një herë.

“Magdeburgu është hapi tjetër në karrierën time. Dhe, ajo që vlerësoj më shumë është trajneri Christian Titz. Më ndihmon shumë duke më dhënë këshilla për atë që mund të përmirësoj. Qëllimi im për sezonin e ri është të qëndroj i shëndetshëm dhe të luajë më shumë”, ka theksuar Hoti.

Ai do të punonte në zyre nëse nuk do të ishte futbollist.

“Kam nisur një shkollim por jam detyruar ta ndërpres për shkak të transferimit në Itali”, është shprehur kosovari.

Hoti ka folur edhe për ushqimin e preferuar.

“Ushqimi im i preferuar vjen nga pjata e nënës sime. Quhet fli. Një ushqim me brumë që piqet si petulla, në shumë shtresa mbi njëra-tjetrën. Është shumë e mirë. Më e mirë se petulla. Nuk mund t’i rezistoj”, ka thënë Hoti.

Artikuj të ngjashëm