Fundori i Trepçës, Amin Hot, është njëri prej lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, për ndeshjen ndaj Danimarkës. Marmarinos ka publikuar listën e gjerë të enjten, kurse përfaqësuesja të premten pasdite ka nisur përgatitjet.
Në përgatitje me Kosovën prej fillimit është edhe Hot. Ai në edicionin e fundit ishte njëri prej lojtarëve më të dalluar te Trepça, dhe pjesë e ekipit nga Mitrovica do të jetë edhe edicionin e ri.
Hot prej fillimit të këtij viti llogaritet lojtar vendor, pasi është pajisur me pasaportë të Kosovës. 29-vjeçari ka qenë pjesë e gjeneratave të reja të Malit të Zi në basketboll (kadetë dhe juniorë). Ai asnjëherë nuk ka arritur të luajë për Përfaqësuesen A të shtetit fqinj dhe tani një gjë të tillë po e realizon me Kosovën. Boshnjaku Hot është nga Rozhaja.
“Dardanët” më 30 qershor në Naestved do të përballen me Danimarkën në ndeshjen e fundit të tyre në fazën parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Ky duel është i rëndësishëm për Kosovën, që po synon të avancojë në fazën e dytë parakualifikuese si ekipi më i mirë i dytë i fazës së parë.
“Ndihem mirë dhe jam më se i nderuar që do të jem pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, ftesë të cilën e kam pranuar menjëherë”, ka thënë Hot për KOHËN. Ai zbuloi se nuk ka hezituar aspak për të qenë pjesë e Kosovës. “Në fakt kur u paraqit mundësia për të luajtur për Kosovën as që kam menduar fare. Menjëherë e pranova ftesën dhe dua ta ndihmoj Kosovën në ndeshjet që i ka”.
Hot pati një edicion të suksesshëm te Trepça, ekip me të cilin luajti në tri finale. E fitoi Kupën e Kosovës, por u mposht në finalen e Superkupës dhe në finale të plejofit të kampionatit të Kosovës. Ai te Trepça luajti me një mesatare prej 12 pikëve, gjashtë kërcimeve e pesë asistimeve për ndeshje. Paraqitje të mirë Hot premton edhe me fanellën e “Dardanëve” në fund të këtij muaji.
“Pas një sezoni të ngjeshur dhe mjaft të vështirë, mund të them se kam pushuar paksa. Dhe tani menjëherë jam gati për ndeshjen ndaj Danimarkës. Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët do të japim gjithçka nga vetja për të treguar një lojë të mirë, për këtë jam më se i bindur”, shtoi Hot.
Fundori është i bindur se nuk do ta ketë aspak të vështirë që të përshtatet te Kosova. Ai është njëri prej tre lojtarëve të Trepçës në përfaqësuese. Krahas tij, përzgjedhësi Marmarinos ka ftuar edhe Drilon Hajrizin e Samir Zekiqin.
Në të vërtetë, Marmarinos për ndeshjen me Danimarkën i ka grumbulluar 14 lojtarë përpara se të përcaktohet për listën përfundimtare. Për herë të parë, përveç fundorit Hot, janë ftuar edhe Etnik Peci e Ardit Pepaj. Këtë herë, Marmarinos nuk e ka përfshirë asnjë amerikan të natyralizuar.
Në debutimin e tij me Kosovën, Hot sigurisht se synon fitore.
“Besoj se do të përshtatem lehtë për shkak se i kam edhe dy bashkëlojtarë të Trepçës dhe po ashtu i njoh pjesën më të madhe të lojtarëve të tjerë. Mendoj se e kemi një ekip me lojtarë cilësorë dhe mbi të gjitha jam i bindur se do të komponohemi si ekip pa telashe dhe do të jemi gati për ndeshjen me Danimarkën”, shtoi Hot. “Sigurisht, synimi është të fitojmë, por nuk do të jetë lehtë. E rëndësishme është që të tregojmë lojë të mirë, të angazhohemi duke mos u dorëzuar për asnjë moment”.
Një tjetër lojtar nga Mali i Zi, Mikaile Tmushiq, ka kohë që luan për Kosovën. Së fundi pasaportën e Kosovës e kanë marrë edhe disa lojtarë të tjerë shqiptarë që nuk janë nga Kosova.
Ishte pritur që Hot të debutonte te Kosova në muajin shkurt. Ndonëse ishte kontaktuar dhe ai ishte i gatshëm për debutim, në fund nuk u ftua. Kosova kishte humbur nga Norvegjia në Mitrovicë.