Sport

Trepça optimiste për ndeshjen ndaj Goettingenit, pret përkrahjen e tifozëve

Te KB Trepça besojnë në debutim të mbarë në arenën ndërkombëtare. Skuadra nga Mitrovica të martën mbrëma fillon garën në turneun kualifikues të FIBA Europe Cup.

Për nismë të suksesshme, Trepça pret përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Trepça luan në palestrën e zjarrtë “Minatori” në Mitrovicë. Prej orës 20:00, në duelin çerekfinal të fazës kualifikuese, Trepça përballet me Goettingenin e Gjermanisë.

Në fakt turneu kualifikues i grupit A nis me ndeshjen që zhvillohet prej orës 17:00 ndërmjet Petrolina AEK (Qipro) dhe Thor Thorlakshofn (Islandë).

Fundori i Trepçës, Amin Hot, ka thënë të hënën për KOHËN se janë përgatitur mirë për duelin me gjermanët. Hot ka pranuar se gjermanët kanë skuadër cilësore, por ka shtuar se Trepça do të bëjë të pamundurën për ta kaluar këtë pengesë. Ai tha se synimi i Trepçës është ta shkruajë historinë në debutim në garat e FIBA-s, gjë që mund të arrihet me fitoren ndaj Goettingenit.

Sipas Hotit, Trepça do të dalë në parket për rezultat pozitiv dhe kualifikim në gjysmëfinale të turneut kualifikues.

“Sa i përket kundërshtarit, i kemi shikuar ndeshjet që i ka pasur dhe i kemi analizuar mirë. Bëhet fjalë për një ekip fantastik, që ka lojtarë cilësorë në secilën pozitë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe mos t’i lejojmë të gjuajnë për shkak se kanë lojtarë shumë precizë. Po ashtu, kanë edhe një mbrojtje agresive”, është shprehur Hot. “Ka optimizëm pasi luajmë në shtëpi, por e kemi parasysh që përballë kemi një ekip të fortë si Goettingeni, kështu që duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm. Pres të bëjmë një paraqitje të madhe në këtë ndeshje tejet të rëndësishme për ekipin tonë”.

Për ta eliminuar Goettingenin, Hot pret edhe përkrahjen e madhe të tifozëve, të cilët deri më tani kanë dëshmuar se mund ta ndihmojnë ekipin në aspektin e motivimit. Hot ka thënë se është i bindur që publiku do të jetë lojtari i gjashtë i Trepçës.

Trepça edicionin e shkuar doli nënkampione dhe triumfoi në Kupën e Kosovës. Këtë edicion në Superligë ka nisur me tri fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.

“Pres që të kemi përkrahje të fuqishme dhe pres që publiku ynë të jetë lojtari i gjashtë. Kjo do të thotë shumë për ne, pasi edhe na motivon për të dhënë më të mirën nga vetja. Megjithatë ne lojtarët jemi akterët në fushë dhe duhet ta dëshmojmë dëshirën për fitore me lojë të mirë dhe angazhim maksimal”, ka shtuar Hot. “Dëshira është ta shkruajmë historinë e basketbollit të Mitrovicës duke e marrë një rezultat pozitiv për të vazhduar ëndrrën tutje”.

Kalimin në gjysmëfinale të fazës kualifikuese e dëshiron edhe trajneri i Trepçës, Lubomir Minchev. Ai thotë se kjo nuk është vetëm dëshira e ekipit të tij, por e gjithë qytetit të Mitrovicës që po frymon me basketbollin. Megjithatë, Minchev pranon se nuk do të jetë aspak mision i lehtë kalimi i Goettingenit. Bundesliga e Gjermanisë vlerësohet prej ligave më të forta në Evropë.

“Mund të them se jemi gati për debutim në Evropë. Përballë kemi një kundërshtar të fortë të cilin e respektojmë. Por synim e kemi fitoren ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë. Megjithatë, besoj në një paraqitje të mirë të ekipit dhe avancim në raundin tjetër, pasi kjo është dëshira e tifozëve tanë”, është shprehur Minchev.

Në rast se Trepça avancon në gjysmëfinale, atëherë do të përballet me Sportingun e Lisbonës, të mërkurën. Sportingu ka avancuar në gjysmëfinale direkt, sikurse Telenet Giants Antwerp nga Belgjika që do të përballet me fituesin e çerekfinales së parë.

Skuadra që fiton ndeshjen finale, që zhvillohet të premten, do ta sigurojë fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Ka gjasa që edhe finalisti të kalojë në grupe.

Në fazën e grupeve paraqitet kampioni në fuqi i Kosovës, Golden Eagle Ylli. Ylli u eliminua në ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe ka shfrytëzuar të drejtën e garimit në FIBA Europe Cup.