Te KB Trepça besojnë se mund të kualifikohen në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup në paraqitjen e parë në arenën ndërkombëtare. Nënkampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës, do të kërkojë fazën e grupeve nëpërmjet kualifikimeve që do të zhvillohen në fund të muajit të ardhshëm. E kualifikimet e Grupit A, në të cilin bën pjesë Trepça do të mbahen në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. KB Trepça të mërkurën ka njoftuar se ka fituar të drejtën nga FIBA për organizimin e këtij turneu kualifikues, që do të mbahet prej 27 deri më 30 shtator.
“Një lajm i madh për klubin tonë, qytetin, tifozët dhe basketbollin kosovar në përgjithësi.
E kemi fituar të drejtën e organizimit të turneut kualifikues të FIBA Europe Cup. Pra, ekipet evropiane zbarkojnë në ‘Minatori’. Është organizim i madh në debutimin tonë në skenën evropiane. Por sfidat na rritin. Shpresojmë të dëshmohemi si nikoqir shembullor dhe për Trepçën të dëgjohet në shumë vende evropiane”, thuhej në njoftimin e Trepçës në Facebook.
Krahas Trepçës, pjesë e Grupit A, janë edhe BG Gottingen (Gjermani), Petrolina AEK (Qipro), Thor Thorlakshofn (Islandë) dhe Sporting CP (Portugali) e Telenet Giants Antwerp (Belgjikë). Dy ekipet e fundit, janë kualifikuar automatikisht në gjysmëfinale të këtij turneu kualifikues dhe presin fituesit e ndeshjeve çerekfinale për t’u përballur për një vend në finale. Trepça në çerekfinale do të përballet me Gottingenin, ndërsa Petrolina AEK do të luajë kundër Thorit, duele këto që do të zhvillohen më 27 shtator. Fituesit e këtyre ndeshjeve çerekfinale, do të avancojnë në gjysmëfinalet që do të luhen më 28 shtator. Fituesi i duelit mes Trepçës dhe Gottingenit do të përballet me Sportingun, ndërsa me Antëerpin fituesi i çerekfinales tjetër ndërmjet AEK-ut dhe Thorit. Ndërsa, më datën 30 shtator do të jetë ndeshje finale, e cila përcakton skuadrën që do të kualifikohet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup për sezonin 2022/23. E Trepça shpreson që të jetë kjo skuadër, pasi beson se edhe përkrahja e madhe e tifozëve në palestrën “Minatori” do ta ndihmojë shumë. Për Trepçën, kjo do të jetë hera e parë në histori të klubit që paraqitet në garat e FIBA-s. Po ashtu, mbajtja e turneut kualifikues në Mitrovicë, do të jetë organizimi më i madh i një ekipi kosovar duke pasur parasysh rëndësinë e garës. Drejtori sportiv i Trepçës, Izet Tahiri ka thënë për KOHËN, se tashmë kanë nisur të bëhen gati për këto ndeshje dhe ka shtuar se organizimi i turneut kualifikues do të jetë i nivelit shumë të lartë.
“Fillimisht, jemi të nderuar që FIBA na ka besuar organizimin e një ngjarje të tillë, që është organizimi më i madh në Kosovës sipas vlerës së garave. Besoj se do të jetë një organizim madhështor, pasi qysh tash kemi filluar të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Tahiri që është optimist për kualifikimin e Trepçës në fazën e grupeve. “Ne si klub kemi kërkuar ta organizojmë këtë ngjarje në palestrën tonë për të treguar se në sezonin e ri, do të paraqitet një Trepçë e fortë që synon suksese të mëdha. Po ashtu, do ta kemi edhe përkrahjen e madhe e tifozëve që është shumë e rëndësishme për ne si klub. Me përkrahjen e tyre besojmë se mund ta arrijmë kualifikimin në fazën e grupeve që do të ishte një arritje e madhe në debutimin tonë në garat e FIBA-s”.
Trepça ka synime të mëdha për sezonin e ri në Kosovë, i cili nis muajin e ardhshëm. Synon t’i fitojë të gjithë trofetë dhe këtë e ka paralajmëruar me përforcimet e bëra gjatë afatit kalimtar të rregullt që u mbyll javën e shkuar. Në sezonin e ri, fanellën e Trepçës do ta bartin Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiq, të cilët ishin ndër lojtarët kryesorë te Golden Eagle Ylli që u shpall kampion i Kosovës në dy sezonet e fundit. Po ashtu, ka vazhduar bashkëpunimin edhe me Drilon Hajrizin, Amin Hotin, Samir Zekiqin e Valdrin Haxhiun. Ka angazhuar edhe pesë lojtarë të huaj, ndërsa në krye të ekipit do të jetë trajneri nga Bullgaria, Lubomir Minchev. Krahas Trepçës, në garat e FIBA-s për sezonin e ri, do të paraqiten edhe Sigal Prishtina e Golden Eagle Ylli. Edhe Prishtina do të luajë në kualifikimet për fazën e grupeve në FIBA Europe Cup. Është pjesë e Grupit B, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në Lituani. Prishtina e pret në gjysmëfinale fituesin e ndeshjes çerekfinale mes Cedevita Junior (Kroaci) dhe Cavel/Kramo (Estoni). Ndërkohë, Ylli do të paraqitet në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve që mbahet prej 21 deri më 25 shtator. Ylli është pjesë e Grupit C kualifikues që do të luhet në Lisbonë, ndërsa në çerekfinale do të përballet me Benfican. Edhe për Yllin, kjo është hera e parë që paraqitet në garat e FIBA-s.