Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, Kastrioti fiton derbin me Prishtinën

Në fundjavë janë luajtur ndeshjet e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll. Derbin mes Kastriotit dhe Prishtinës e ka fituar skuadra ferizajase me rezultat 28:24. Kjo ndeshje u luajt të shtunën në Ferizaj.

Kastrioti e bëri shkëputjen në fillim të pjesës së dytë dhe më pas mbajti epërsinë deri në fund. Festim Mustafa ishte më efikasi te Kastrioti me 11 gola. Shtatë i shënoi Hamdi Salihu, ndërsa gjashtë i realizoi Mohamed Ali Arib. Te Prishtina, Samid Mekiq shënoi shtatë gola.

Po të shtunën, Besa Famgas u sfidua seriozisht nga Vushtrria. Por kampionja në fuqi, Besa, fitoi me rezultat 38:34. Ekipi pejan te fitorja erdhi në pjesën e dytë, pasi e para përfundoi 16:16. Madje në pjesën e parë skuadra vushtrriase krijoi epërsi deri në pesë gola. Deçani nuk ka lejuar befasi ndaj Llapit duke fituar 31:19. Të dielën u luajt ndeshja mes Vëllaznimit dhe Rahovecit.

Fitore shënoi Rahoveci me rezultat 37:28. Marley Wallace i shënoi 11 gola për Rahovecin, kurse 11 i kishte Alban Haziri. Florian Rexha e Labinot Kërleshi shënuan nga gjashtë gola për Vëllaznimin. Në fundjavë filloi edhe stinori pranveror te hendbollistet. Skuadrat favorite nuk kanë lejuar befasi.

 

Artikuj të ngjashëm