Sulmuesi David Datro Fofana, do të jetë përforcimi i parë i Chelseat në afatin kalimtar të janarit. Klubi nga Londra, të mërkurën ka njoftuar se ka arritur marrëveshje për transferimin e 20-vjeçarit, i cili do t’i bashkohet më datën 1 janar të vitit të ardhshëm.
Fofana te Chelsea do të transferohet nga skuadra e Norvegjisë, Molde. Detajet tjera të marrëveshjes nuk janë bërë të ditura, por thuhet se Chelsea ka paguar mbi dhjetë milionë euro për Fofanan.
Fofana ka treguar një formë fantastike këtë vit te Molde, ku ka shënuar 21 gola dhe ka bërë 7 asistime në 37 paraqitje në të gjitha garat. Ai ka edhe dy ndeshje të luajtura me Përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë.