Nga një kampion aktual te një tjetër kampion aktual. Nga një skuadër e vendit të dytë te skuadra tjetër e vendit të dytë. Skuadrat janë në nivelin e njëjtë, por vetëm sa u takon ligave ku luajnë. Dhe lëvizja që Ermal Krasniqi e ka kompletuar të martën, është shumë e madhe. Njëra prej më të mëdhave nga liga kosovare.
Ermal Krasniqi të martën u transferua nga kampioni i Kosovës, Ballkani, te kampioni i Rumanisë, CFR Cluj.
Cluji për disa vjet është forcë dominante në futbollin rumun. Pas stinorit vjeshtor është i dyti në tabelë, njëjtë si Ballkani në Kosovë. CFR Cluj ka tetë tituj të kampionit të Rumanisë, ndërsa ka fituar titullin në pesë edicionet e kaluara. Titull të ri synon në edicionin aktual. Pas xhiros së 21-të është vetëm një pikë prapa FCV Farul Constanta.
CFR Cluj është formuar si klub në vitin 1907. Deri në promovimin e fundit, në vitin 2004, kryesisht ka luajtur në nivele më të ulëta. Në Evropë për herë të parë luajti në edicionin 2005/06.
Skuadra e re e sulmuesit Krasniqi ka luajtur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve në edicionin 200/09 e më pas edhe në edicionin 2010/11 e 2012/13. Ka luajtur edhe në fazën grupore të Ligës së Evropës e po ashtu në Ligën e Konferencës.
Pikërisht në fazën grupore të Ligës së Konferencës, Krasniqi ra në sytë e trajnerit të kampionit rumun, Dan Petrescu. Këtë edicion Ballkani për herë të parë arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Në grup e kishte Clujin. Ndeshja e parë, më 8 shtator në Prishtinë, përfundoi 1:1. Në Cluj-Napoca, skuadra rumune fitoi 1:0. Cluji u rendit i dyti në grup dhe do të luaj në fazën e plejofit. Ballkani mbeti i fundit dhe nuk avancoi.
Paraqitja në fazën grupore ishte historike për Ballkanin dhe për futbollin kosovar. Dhe një dritare e shkëlqyer për Krasniqin dhe lojtarët tjerë të kampionit kosovar. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë lojtar tjetër i Ballkanit të transferohet në ndonjë klub më të madh e ligë më të madhe.
Ballkani është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, por ende është larg nivelit që Cluji ka si klub. Liga e Rumanisë po ashtu vlerësohet e nivelit dukshëm më të lartë se ajo e Kosovës. Kështu që transferimi i Krasniqit është hap i madh para në karrierë.
Menjëherë më 16 shkurt, CFR Cluj, e me shumë mundësi edhe Krasniqi, do të luaj me Lazion, në plejofin e Ligës së Konferencës.
Cluji ka në përbërje shumë lojtarë të huaj. Dhe tani i shtohet edhe një lojtar nga Kosova.
Krasniqi është 24-vjeçar dhe kryesisht luan sulmues krahu. Është nga Malisheva, ndërsa ka luajtur për disa skuadra kosovare. Te Ballkani është prej vitit 2010. Vjet debutoi te Kosova A, ndërsa më herët kishte një ndeshje me Kosovën U21.
Te Ballkani, Krasniqi ka luajtur 105 ndeshje. Ka shënuar 39 gola dhe ka bërë 17 asistime, sipas të dhënave të paraqitura nga Cluji.
“Infuzion për titull” ka shkruar gazeta rumune “Pro Sport” për transferimet e fundit të Clujit. Kjo skuadër ka transferuar gjithsej katër lojtarë. Kjo gazeta ka shkruar se Krasniqi mund të shitet për shumë dukshëm më të lartë, nëse vazhdon zhvillimin te Cluji.
Rreth 250 mijë euro ka paguar Cluj për Krasniqin, shkruan gazeta rumune. Te Ballkani thonë se do të përfitojnë 300 mijë euro dhe po ashtu do të mbajnë 15 për qind të vlerës së kartonit.
“Sot kam nënshkruar kontratë me klubin rumun CFR Cluj. Është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës time futbollistike. Ballkani do të ketë vend special në zemrën time. U rritëm së bashku dhe arritëm suksese historike”, ka shkruar Krasniqi.
Ai është transferimi i parë nga futbolli kosovar në një ligë të huaj në këtë afat kalimtar. Shpresat janë që nuk do të jetë edhe i fundit.