Samir Ujkani së fundi është aktivizuar për Kosovën, më 18 nëntor ndaj Moldavisë. Për Torinon në Serie A nuk është aktivizuar që nga 29 korriku. Në ndeshjet e fundit as që është grumbulluar, ishte me COVID-19.
Portieri tjetër i Kosovës, Aro Muriq, së fundi në portë ishte më 15 nëntor. Natyrisht, në ndeshje të Kosovës. Prej atëherë po “ngroh” stolin te Girona në kategorinë e dytë të Spanjës. Më 4 tetor ishte aktivizuar së fundi për skuadrën e tij.
Kjo situatë ka kohë që nuk po ndryshon për portierët e Kosovës. Dhe në kohën kur ata nuk aktivizohen fare, kërkimi i alternativave vlerësohet i drejtë.
Numri i portierëve kosovarë në skuadra të vendeve të tjera është fare i vogël. Nëse nuk llogaritet portieri i tretë, Visar Bekaj, që luan për Tiranën në Superligën e Shqipërisë, atëherë portieri i vetëm në një ekip elitar në vende me futboll më të zhvilluar është Betim Halimi.
Shtatlarti 25-vjeçar është pjesë e Olimpik Donetsk në elitën e Ukrainës. Olimpiku e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e shtatë në ligën me 14 skuadra. Në ndeshjen e fundit barazoi 1:1 me Lvivin. Ajo ndeshje mund të jetë pikë kthese për karrierën e Halimit.
Sajti i popullarizuar i futbollit në Ukrainë, “footboom.com” e ka përfshirë Halimin në ekipin e xhiros së 13-të të kampionatit ukrainas, falë paraqitjes ndaj Lvivit.
“Olimpiku nuk ishte në gjendje të fitojë dhe të afrohet në pesëshen e parë. Por ekipi nga Donetsku do të mund të pësonte humbje, sikur të mos ishte paraqitja plot besim e portierit të tij. Betimi shpëtoi Olimpikun dy herë nga goli i sigurt”, shkruan në arsyetimin e këtij sajti.
Edhe sajti “football.ua” e ka përfshirë Halimin në ekipin e xhiros.
Halimi nuk e ka pasur të lehtë të depërtojë në ekipin e parë të Olimpikut. Deri tri xhiro para fundit ishte në stol. E fitoi rastin dhe e shfrytëzoi atë. Në tri ndeshjet e ruajti portën, ndërsa një ndeshje e luajti edhe për Kupë.
“I kam luajtur vetëm katër ndeshjet e fundit pasi ekipi ka pasur rezultate të mira në nëntë xhirot e para. Natyrisht që trajneri nuk ka bërë shumë ndryshime në formacion”, ka thënë Halimi të martën për KOHËN.
Edicioni vjeshtor në Ukrainë ka përfunduar, ndërsa Halimi shpreson të vazhdojë me paraqitje në pjesën e dytë të kampionatit.
“Kampionatin e Ukrainës e vlerësoj shumë. Luhet futboll i shpejtë, taktikisht luhet mirë, ndërsa në arenën ndërkombëtare klubet e Ukrainës kanë arritur sukses shumë të madh. Për pjesën e dytë të kampionatit shpresoj të jem në formën më të mirë të mundshme. Qëllimi është të kem ndeshje sa më shumë. Dihet që pozita e portierit është shumë e vështirë. Fitohet me shumë vështirësi, por edhe humbet shumë lehtë”, ka shtuar Halimi.
Për të është edicioni i tretë në elitën ukrainase. Në edicionin e parë i kishte katër ndeshje, në të dytin gjashtë e tani i ka tri. Pra, është në kërkim të stabilitetit.
Më herët ai ka luajtur në disa skuadra kosovare e po ashtu te Narva në Estoni.
“Nuk e kam fituar rastin për lëndim të portierit tjetër. Unë shpresoj që të luaj rregullisht në pjesën e dytë. Do të shihet në fazën përgatitore se kush është më në formë të mirë. Natyrisht që portierët vendës gjithmonë kanë më shumë përparësi. Jam i kënaqur me paraqitjet që kisha, pos me Inhuletsin. Nuk kam qenë i kënaqur pasi nuk kam qenë në formë të mirë fizike. Dy javë para asaj ndeshjeje isha me COVID-19. Më pas isha shumë i kënaqur, ndërsa në xhiron e fundit isha në formacion të javës. Edhe në ndeshjen për kupë jam paraqitur mirë”, ka theksuar Halimi.
Ai natyrisht shpreson të marrë ftesë nga Kosova. Për aq kohë sa është i vetmi që aktivizohet në ligat me futboll të zhvilluar, mund të shpresojë për ftesë nga Bernard Challandes.
“Sa i përket Kosovës, është në dorën e trajnerit. Ai nuk ka presion nga ana ime asnjëherë. Unë do të jem i gatshëm të jap kontributin tim për Kosovën, kur të ketë nevojë Përfaqësuesja për mua. Mendoj që niveli i kampionatit në Ukrainë është mjaft i lartë dhe i denjë për një portier që pretendon vend te Kosova. Suksesi i ekipeve ukrainase në garat evropiane është shumë i mirë. Ndërsa unë jam në një klub që e ka synim pjesëmarrjen në Ligën e Evropës”, ka thënë Halimi.