Mesfushori Besar Halimi nuk ka luajtur për Kosovën që nga nëntori i vitit të kaluar. Dhe me shumë mundësi nuk do të luajë edhe për një kohë. Niveli ku Halimi do të luajë në edicionin 2022/2023 jep pak gjasa që ai të ftohet në përfaqësuese në të ardhmen e afërt.
Halimi të martën ka bërë lëvizje në karrierë, por jo të tillë që e fut në konkurrencë të fortë për një vend në mesfushën e Kosovës. Me 27-vjet, Halimi duhet të jetë në kulm të karrierës. Por jo. Aftësitë prej mesfushori ai do të mund t’i shfaqë në kategorinë e dytë të Greqisë, ku do të luajë në edicionin që tashmë ka nisur.
Halimi ka nënshkruar me skuadrën, Apollon Smyrni. Apolloni në edicionin e kaluar ishte në Superligë, por ra në kategorinë e dytë. Halimi së fundi ishte pjesë e Rigas në Letoni, ku nuk pati ndonjë sukses të madh. Më herët ka luajtur kryesisht në Gjermani, më së shumti në Bundesliga 2.
Ishte menduar se Riga do të jetë një stacion i përkohshëm për Halimin dhe ai do të vazhdonte sërish në nivel serioz. Por kalimi në kategorinë e dytë greke nuk është ndonjë hap para për të. Pozitiv mund të vlerësohet vetëm fakti se Halimi do të luajë dhe nuk do të pauzojë gjatë si një pjesë e lojtarëve që pretendojnë vend te Kosova.
Kosova pas një muaji (24 shtator) luan me Irlandën e Veriut dhe më pas e pret Qipron më 27 shtator. Janë ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Garën për vendin e parë në grupin e Ligës C, Kosova e ka humbur nga Greqia.
Selektori Alain Giresse nuk do të ketë shumë opsione për ndeshjet e pas një muaji. Një pjesë e lojtarëve janë në moment jo të mirë në karrierë.
Portieri Samir Ujkani është pa angazhim aktualisht. Në fakt Ujkani edhe kur është i angazhuar, nuk paraqitet për skuadra dhe një situatë e tillë ka vite që vazhdon. Prej mbrojtësve, Fidan Aliti e Mirlind Kryeziu nuk është që kanë filluar mirë edicionin me Zuerichun, ndërsa stabil po shfaqet Amir Rrahmani.
Milot Rashica ka rënë në kategorinë e dytë angleze me Norwichin, ndërsa është në kërkim të stabilizimit në ekipin bazë.
Valon Berisha nuk po luan fare për Reimsin, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një lëvizjeje të tij. Arbër Zeneli po paraqitet kryesisht zëvendësues te Reimsi në Ligue 1 të Francës. Elbasan Rashani po luan më shumë në këtë ligë, ndërsa Edon Zhegrova posa është kthyer nga një lëndim.
Florian Loshaj po luan te Cracovia në Poloni, ndërsa e ka një gol. Formë të mirë po shfaqin Zymer Bytyqi në Turqi dhe Florent Muslija në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Blendi Idrizi nuk po luan fare për Schalken dhe po ashtu mund të bëjë lëvizje në ditët e fundit të afatit kalimtar.
Toni Domgjoni është stabilizuar te Vitesse në Holandë, ndërsa Donat Rrudhani po bën vend gradualisht te Young Boysi. Ai është prej të paktëve që ka bërë hap të rëndësishëm para në karrierë.
Emir Sahiti është kryesisht stabil te Hajduku i Splitit në Kroaci, ndërsa Vedat Muriqi tashmë ka nisur me gola në La Liga për Mallorcan.
Ibrahim Dresheviq po punon për ta bërë vendin te Karagumruku në Turqi, ku kaloi nga Heerenveeni holandez. Edhe Betim Fazliji po e bën vendin te St. Pauli në Bundesliga 2 dhe pritet të jetë kandidat për vend titullari te Kosova.
Sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati, nuk po llogaritet fare te Legia dhe një lëvizje e tij pritet të realizohet së shpejti. Ndërkohë Hekuran Kryeziu ende nuk ka nisur të luajë te Winterthuri, ku kaloi pas një periudhe pa skuadër.
Në përgjithësi, situata e lojtarëve të Kosovës nuk është përmirësuar nëse krahasohet me edicionin e kaluar. Për shumë pozita mungon konkurrenca e denjë dhe kjo më pas po reflektohet edhe në fushë.