Besar Halimi ishte vetëm në stol te Riga e Letonisë në ndeshjen e fundit kampionale. Në ndeshjen e parafundit luajti 57 minuta, ndërsa edhe në një ndeshje më parë ishte vetëm në stol. Ka pesë paraqitje e një gol te skuadra e ligës fare pak të njohur të futbollit. Por vazhdon të ftohet nga Kosova.
Ka plot lojtarë të tjerë që kanë telashe me aktivizim, apo me nivelin ku luajnë. Por Kosova i fton rregullisht.
Përzgjedhësi i përkohshëm, Primozh Gliha, të premten ka publikuar listën e lojtarëve për ndeshjet me Jordaninë dhe Greqinë. Ndeshja e 10 nëntorit me Jordaninë është miqësore, ndërsa ndeshja e 14 nëntorit me Greqinë është e fundit e kualifikimeve për Botërorin 2022.
Kosova është jashtë objektivave, kështu që ndeshja me Greqinë, njëjtë si ajo me Jordaninë, është më shumë testuese për të ardhmen. Por nuk ka ndonjë lojtar të ri që do të testohet, pos atyre që ftohen rregullisht.
Janë kthyer Valon Berisha, Edon Zhegrova e Blendi Idrizi, që munguan në grumbullimet e kaluara për shkak të lëndimeve. Jashtë kanë mbetur Ibrahim Dresheviq i suspenduar, Florent Hadërgjonaj i lënduar dhe Florent Muslija.
Mungesa e emrave të rinj, veçanërisht për dy ndeshjet e këtij muaji, më shumë është dëshmi për numrin e kufizuar të lojtarëve nga Kosova në nivelet serioze të futbollit evropian. Sidomos në mesfushë ka shumë telashe, që rriten me mungesën e Dresheviqit.
Valon Berisha e Blendi Idrizi mund të jenë opsione për mesin e fushës, por ata në skuadrat e tyre ende nuk janë në ritmin e ndeshjeve. Berisha nuk u grumbullua në takimin e fundit te Reimsi, ndërsa në dy takime paraprake luajti zëvendësues. Idrizi në dy ndeshjet e fundit ka luajtur gjithsej 25 minuta, pas rikthimit nga lëndimi, që e mbajti disa muaj jashtë. Ai është pjesë e Schalkes në Bundesliga 2.
Ndërkohë edhe Zhegrova duket se nuk i ka kaluar tërësisht telashet shëndetësore. Nuk është paraqitur fare në tri ndeshjet e fundit.
Kështu për vend në mesfushë konkurrojnë edhe Halimi, që luan në Letoni, në nivel pak të njohur, pastaj Herolind Shala i kategorisë së dytë turke, Toni Domgjoni, që luan fare pak te Vitesse në Holandë. Kandidat i fortë për mesfushë është Florian Loshaj, që ka telashe me aktivizim të rregullt te Cracovia në Rumani. Loshaj herë starton e herë aktivizohet si zëvendësues, por nuk kompleton thuajse asnjë ndeshje.
Zgjedhja e parë e sulmit mbetet Vedat Muriqi, që do të grumbullohet me maksimalisht dy paraqitje për Lazion, që nga grumbullimi i kaluar me Kosovën. Ai në pesë prej gjashtë ndeshjeve të fundit ishte vetëm në stol. Ka luajtur pak ndaj Atalantas, por pa lënë gjurmë. Astrit Selmani, i vlerësuar si një opsion për sulmin, nuk ishte te Hammarby në dy ndeshjet e fundit. Gjithashtu ka humbur vendin e startuesit te skuadra suedeze.
Dhe niveli që kanë lojtarët në skuadrat e tyre ka ndikim direkt në nivelin e përfaqësueses. Rrjedhimisht edhe vendi i fundit në grupin kualifikues duket se përshtatet apo të paktën është i përafërt me nivelin aktual të lojtarëve, pavarësisht se disa, si Amir Rrahmani, janë në moment të ndritur.
Ndeshjet e nëntorit, përkatësisht ajo me Greqinë, do të dëshmojë nëse i gjithë problemi për rënien e përfaqësueses ishte te selektori Bernard Challandes.