Besar Halimi për kohë të gjatë është vlerësuar prej mesfushorëve më të mirë të Kosovës. Por në vitet e fundit ka pasur krizë në karrierë dhe ka luajtur në nivel inferior, që nuk i garantonte vendin në përfaqësuese.
Pas përvojës në kategorinë e dytë të Greqisë, Halimi ka vendosur të kthehet në Gjermani, ku ka qëndruar thuajse gjithë karrierën. Ai ka firmosur të hënën me skuadrën Hallescher, që garon në kategorinë e tretë gjermane.
“Besar Halimi do të na ndihmojë dhe do të na bëjë më stabil me përvojën dhe kreativitetin e tij. Me 28 vjet ai është në moshën më të mirë për futboll dhe përfundimisht dëshiron të dëshmohet sërish në Gjermani. Jemi të lumtur që kemi angazhuar një lojtar të statusit të tij”, ka thënë drejtori sportiv i Hallescherit, Thomas Sobotzik.
Halimi ka luajtur në Gjermani deri në qershor të vitit 2021.
Edicionin e fundit ishte tek Apollon Smyrnis në kategorinë e dytë greke. Në 27 ndeshje kontribuoi me tre gola e katër asistime. Një edicion më herët ishte te Riga në Letoni, ku nuk luajti shumë.
Me Sandhausenin u paraqit në Bundesliga 2, ndërsa ishte dy edicione te Brondby në Danimarkë. Ka luajtur edhe për Nuernberg II, Stuttgart II, Stuttgarter Kickers, FSV Frankfurt e Mainz II.
Mesfushori qendror ka luajtur për U18 e U19 të Gjermanisë. Prej vitit 2015 është pjesë e Kosovës, ndërsa ka katër gola në 33 paraqitje.
Ai ka 52 ndeshje e gjashtë gola në Bundesliga 2, ndërsa në kategorinë e tretë gjermane i ka 75 ndeshje, shtatë gola e 18 asistime.
Te Kosova nuk është ftuar që nga nëntori i vitit 2021. Me paraqitje në kategorinë e tretë gjermane ka pak gjasa të futet në konkurrencë për vend te Kosova.