Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka insistuar se sulmuesi Erling Haaland ende mund të përmirësohet pas golave të fundit që i shënoi.
Norvegjezi vazhdoi aventurën e tij të jashtëzakonshme me kampionin e Anglisë, duke shënuar dy herë në fitoren 3:1 të Cityt në udhëtim te Leeds Unitedi, ndërsa ekipi i Guardiolas u rikthye në pozitën e dytë në Premier League.
Haalandi tani ka shënuar 26 gola në 20 ndeshje në të gjitha garat që nga transferimi i tij nga Borussia Dortmundi para fillimit të këtij sezoni. Dhe, dy golat e shënuar të mërkurën mbrëma, e bëjnë atë lojtarin që më së shpejti ka shënuar 20 gola në Premier League, numër i arritur ky me vetëm 14 paraqitje.
“Nëse ai thyen rekorde dhe shënon shumë gola është mirë sepse do të na ndihmojë të fitojmë ndeshjet”, ka thënë Guardiola të premten.
“Kur të gjithë e japin maksimumin, ekipi përfiton. Që nga dita e parë ne jemi të kënaqur jo vetëm me kontributin e tij në gola, por për shumë gjëra. Shpresoj se ai mund të vazhdojë të përmirësohet si futbollist, sepse mendoj se ai mund të bëjë edhe më mirë. Ai është i ri, dhe mendoj se ka mentalitetin për ta bërë këtë”, ka shtuar spanjolli.
City që ka pesë pikë më pak se Arsenali që është lider, të shtunën luan në shtëpi ndaj skuadrës së Evertonit.