Tifozët e Napolit po përgatiten për festën e tyre më të madhe për më shumë se tri dekada. Por një grindje mes tifozëve ultras dhe pronarit të klubit, Aurelio De Laurentiis, kërcënon të humbë shkëlqimin e festimeve shumëngjyrëshe që tashmë kanë filluar në qytetin e Napolit.
Napoli pret Veronën të shtunën, në prag të titullit të parë që nga ditët e Diego Maradonas. Derisa qyteti po zbukurohet me ngjyrat bardh e kaltër, atmosfera në ndeshjet e fundit në shtëpi ka qenë shumë e tensionuar. Humbja e thellë 4:0 në shtëpi nga Milani u rëndua edhe më shumë nga përleshjet
që shpërthyen në tribuna midis tifozëve ultras të Napolit, ndërsa tifozët e tjerë brohoritën “jashtë, jashtë”. Protestat e ultrasve raportohet se kanë të bëjnë me pengimin e sjelljes së daulleve, flamujve dhe pankartave në stadium, për të krijuar atmosferë të denjë për një fund të sezonit në të cilin Napoli duhet ta fitojë titullin e kampionit në Serie A për herë të parë që nga viti 1990.
Trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, tha, pas humbjes 1:0 në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve nga Milani, se do të jepte dorëheqjen nëse ata tifozë do të vazhdojnë “ta mbajnë peng ekipin” gjatë ndeshjes së dytë që luhet javën tjetër. Por, konflikti i fundit është vetëm një episod i një grindjeje ideologjike me magnatin e filmit të lindur në Romë, De Laurentiis, i cili nuk e ka besimin e tifozëve pavarësisht se mori kontrollin në vitin 2004, kur klubi ishte falimentuar dhe e ktheu atë nga niveli i tretë në prag të lavdisë.
“Në kulturë, De Laurentiis ka qenë gjithmonë një i huaj në Napoli. Ai kurrë nuk është parë në një dritë të mirë, as nga tifozët ultras dhe as nga pjesë të mëdha të qytetit në përgjithësi”, thotë gazetari Massimiliano Gallo, i cili drejton uebsajtin e njohur të Napolit “Il Napolista”. “Në Napoli ekziston një lloj feje fundamentaliste në të cilën qyteti është një Zot që duhet adhuruar. Por De Laurentiis ka shkelur në fytyrë napolitanët dhe mbi të gjitha shtresat më të larta të shoqërisë napolitane, me faktin që ua mori biznesin e tyre dhe fitoi para me të”.
Sipas gazetarit, ky titull kampioni nuk po ndihet sikurse ai me yllin argjentinas, Maradona.
“Kjo ‘scudetto’ është krejtësisht ndryshe nga ato të fituara me Maradonan. Është më shumë milanezë, që ka ardhur si rezultat i planifikimit dhe menaxhimit. Klubi po menaxhohet si klubet e Milanos dhe Torinos”.
Filozofia e biznesit të presidentit De Laurentiis, e cila bie ndesh me filozofinë e tifozëve ultras, u theksua me çmimet e biletave për ndeshjen e kthimit kundër Milanit, që luhet të martën. Bileta më e lirë për t’u futur në stadium është 90 euro, çmim ky që po konsiderohet tepër i lartë.
“De Laurentiis thotë se dëshiron të sjellë familje në ndeshje, por ai nuk ofron asnjë zbritje as për to, as për të rinjtë”, thotë Emilio Coppola, një tifoz i Napolit dhe avokat që punon për çështje të lidhura me tifozët. “Më duket se ai thjesht dëshiron të zgjedhë se kush shkon në ndeshje në bazë të gjendjes së tyre financiare”.
Coppola thotë se një përleshje masive midis tifozëve të Napolit dhe Romës në një autostradë në muajin janar, e cila u kushtoi të dy tifogrupeve me një ndalim prej dy muajsh për të udhëtuar në ndeshjet jashtë, shkaktoi ndezjen e fundit të “një klime tensioni” që daton shumë kohë më parë. Sipas tij, kjo situatë është prej vitit 2019 kur tifozët e Napolit papritmas filluan të gjobiten për të mos u ulur në vendin e caktuar.
“Mënyra e pronarit për të parë futbollin është thjesht në kontrast të plotë me atë të njerëzve që shikojnë ndeshjet në tarraca. Ne jemi të vetmit klientë që nuk kemi kurrë të drejtë. Ai e quan klubin si 'loja e familjes', por Napoli ka të bëjë me pasionin e tifozëve”, shprehet Coppola. “Napoli nuk është historikisht klub i suksesshëm... nëse Napoli do të zbriste në Serinë B ose nuk do të bënte mirë në ligë, skuadra mund të përfundojë duke u braktisur nga tifozët, sepse nëse ata tifozë të fuqishëm largohen. Klubi përfundon me tifozë që interesohen vetëm për rezultate dhe nuk e mbështet ekipin pavarësisht nga rrethanat”.
Napoli thuajse e ka siguruar titullin e kampionit, pasi prin në tabelë me 74 pikë të mbledhura, 16 më shumë se përcjellësi i parë, kur kanë mbetur edhe dhjetë xhiro deri në fund të këtij edicioni në Itali. Dy titujt e vetëm në histori Napoli i ka fituar në vitin 1987 dhe 1990.