Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Napoli përgatitet për titullin historik

Napoli luan kundër Veronas të shtunën në orën 18:00 në kuadër të xhiros së 30-të të elitës së futbollit të Italisë në prag të Scudettos së parë që nga koha e Diego Maradonas.

Napolit i duhen vetëm edhe katër fitore deri në fund të garës për t’u shpallur kampion.

Titullin do ta festonte më 3 maj në duelin kundër Udineses si mysafir, pavarësisht rezultateve të skuadrave të tjera.

Do të ishte titulli i parë në 33 vjet, pasi titullin e fundit e kishte fituar në edicionin 1989/1990.

Por përderisa qyteti ka nisur të dekorohet me ngjyrat kaltër e bardhë, atmosfera në ndeshjet e fundit në shtëpi është përcjellë me protesta të tifozëve drejtuar pronarit të klubit, Aurelio De Laurentiis.

Napoli ka pasur formë të luhatshme së fundmi.

U mposht nga Milani në shtëpi 4:0, fitoi ndaj Lecces 2:1, ndërsa pësoi sërish nga Milani, por në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve 1:0 në “San Siro”.

Protestat kundër presidentit De Laurentiis janë bërë edhe më të rrepta. Së fundmi, tifozët janë ngritur kundër tij, pasi bileta më e lirë kthyese për duelin kundër Milanit është 90 euro.

Edhe nëntë ndeshje i kanë mbetur napolitanëve për t’i luajtur në Serie A deri në fund të sezonit të sivjetmë.

Napoli i Amir Rrahmanit ka krijuar epërsi të madhe në krye të tabelës në krahasim me përcjellësit e tjerë.

Ka 74 pikë aktualisht.

Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, do të luajë kundër Bolognas në udhëtim të shtunën nga ora 15:00, por në tabelë ka mbetur prapa.

Zë pozitën e katërt me 52 pikë.

Artikuj të ngjashëm