Futboll

Te Napoli përgatiten për festë të madhe

Napoli

Te Napoli kanë bërë të gjitha përgatitjet për festë të madhe. Por për ta fituar titullin, Napolit, ku prej lojtarëve më të rëndësishëm është edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i duhet fitore të premten ndaj Cagliarin në ndeshjen e fundit të sezonit në Serie A. Shpresa për ta fituar titullin kanë edhe tek Interi.

Finalisti i Ligës së Kampionëve dhe kampioni në fuqi i elitës italiane të futbollit, Interi, është vetëm një pikë prapa liderit. Dhe kështu dita e fundit e kampionatit për këto dy skuadra do të jetë dramatike. Por, ekziston mundësia që këto dy skuadra të luajnë edhe një ndeshje të plejofit për ta përcaktuar fituesin e këtij edicioni. 

Napoli ka më shumë shanse për ta fituar titullin. Një fitore ndaj Cagliarit të premten nga ora 20:45 do t’ia mundësonte një gjë të tillë. Barazimi mund të mos jetë i mjaftueshëm, nëse Interi fiton në udhëtim te Como. Edhe kjo ndeshje luhet në orarin e njëjtë. 

Për Interin, që ballafaqohet me Paris Saint-Germainin në finalen e “Championsit” më 31 maj, barazimi do të ishte i mjaftueshëm për ta zhvilluar ndeshjen e plejofit për titull me Napolin. Natyrisht, nëse Napoli i Amir Rrahmanit, humb. 

Napoli dhe Interi është vendosur të luajnë të premten, për t’i dhënë kohë “nerazzurrëve” të përgatiten sa më shumë për finalen e Ligës së Kampionëve. Nëse në fund të garës janë baras me pikë, finalja e plejofit do të luhet të hënën. 

Interi do të ketë detyrë më të vështirë të premten pasi Como ka fituar 20 pikë nga tetë ndeshjet e fundit dhe janë pranë përfundimit të edicionit në vendin e 10-të, që do të ishte pozita më e mirë e skuadrës prej vitit 1986. 

Cagliari, që është i 14-ti në tabelë, i ka fituar vetëm nëntë prej 37 ndeshjeve të këtij sezoni. Por, Cagliari e ka siguruar qëndrimin në Serie A pasi ka pesë pikë më shumë se zona që dërgon në kategorinë e dytë. 

Trajneri Antonio Conte mund të shkruajë histori, në edicionin e parë në krye të Napolit. 

Ish-përzgjedhësi i Italisë mund të bëhet trajneri i parë që e fiton Serie A me tri skuadra të ndryshme. 

“I kemi duart në trofe dhe nuk duhet ta lëmë të na ikë”, ka thënë Conte. 

55-vjeçari deri tani është fitues i katër kampionateve në Itali. E udhëhoqi Juventusin drejt tre titujve rresht prej vitit 2011 deri në vitin 2014. Më pas me Interin e fitoi titullin në vitin 2021. Në mesin e këtyre viteve ai e fitoi titullin edhe me Chelsean në vitin 2017. 

Ka shumë trajnerë që kanë fituar tituj në Serie A me dy skuadra të ndryshme, por asnjëherë me tri. Fabio Capello e ngriti lart trofeun e Serie A me Milanin katër herë dhe me Romën një herë, para se të triumfonte me Juventusin në vitet 2005 e 2006. Por, ata tituj të “bianconerëve” nuk janë të vlefshëm për shkak të skandalit të “Calciopolit”. 

Napoli ishte fitues i kampionatit në vitin 2023, ndërsa tani mund të jetë sërish fitues, në njërin prej titujve më të rëndësishëm në karrierën e Contes. 

Nga skuadra u larguan Victor Osimhne, Khvicha Kvaratskhelia e Kim Min-Jae, por Conte e transformoi menjëherë Napolin në fitues potencial të titullit. 

“Shpresoj që ta festojmë titullin, sepse do të ishte diçka e bukur, po ashtu për energjinë të cilën e kemi shpenzuar. Do të më shpaguhej çdo gjë për të cilën kam punuar këtë vit. Kam shkuar përtej limiteve. Jam shumë i lodhur, por do të shkojmë deri në fund”, ka deklaruar Conte. 

Napoli është fitues i Serie A edhe gjatë kohës së artë të Diego Armando Maradonës, në vitet 1987 dhe 1990. Juventusi e mban rekordin me 36 tituj, ndërsa Interi ka 20 tituj, një më shumë se rivali i qytetit, Milani.