Futboll

Statistikat dëshmojnë: Napoli është skuadër tjetër pa Rrahmanin

Amir Rrahmani

Amir Rrahmani pritet që të jetë i gatshëm për lojë të shtunën. Napoli luan në udhëtim te Genoa, në kuadër të xhiros së 24-t të Serie A. 

Në Itali kanë shkruar vazhdimisht për rëndësinë që kapiteni i Kosovës e ka për ekipin e udhëhequr nga trajneri Antonio Conte. 

Të mërkurën mediumi i afërt me klubin napolitan, “calcionapoli24”, ka paraqitur disa statistika të skuadrës, me dhe pa Rrahmanin në fushë. 

“Është një ekip i Napolit me Rrahmanin dhe një tjetër pa të. Statistikat flasin vetë. Ai mungoi në katër ndeshjet e fundit dhe gjatë mungesës së tij kishim barazim me Copenhagenin, fitore ndaj Fiorentinës dhe humbje nga Juventusi dhe Chelsea. Në total, tetë gola të pranuar në katër ndeshje. Pa Rrahmanin, Napoli ka pranuar 26 gola në 15 ndeshje dhe i ka pësuar gjashtë humbje. Me Amirin në fushë, ekipi ka pranuar 11 gola në 19 ndeshje”, ka shkruar “calcionapoli24”. 

Dy herë kampioni i Italisë me Napolin, Rrahmani, është goditur rëndë në këtë edicion nga lëndimet muskulore. Lëndim të ngjashëm pësoi edhe në shtator sa ishte me Kosovën, në ndeshjen ndaj Zvicrës.