Sport

Gliha flet për ndeshjet e këtij muaji, disiplinën që kërkon dhe gjërat tjera

Seleksionuesi i Kosovës, Primozh Gliha të hënën ka folur për grumbullimin e “Dardanëve” në kuadër të ndeshjeve të këtij muaji për “Euro 2024”.

Në këtë konferencë, Gliha ka prekur shumë çështje, por mbi të gjitha ka folur edhe për lojtarët e ftuar në listën e tij. Kosova më 9 shtator luan në Prishtinë kundër Zvicrës, ndërsa tri ditë më vonë, është mysafire e Rumanisë në kuadër të Grupit I. Gliha ka thënë se në listën e tij ka emra të rinj dhe arsyeja për këtë është se fokusi i tij në këto dy përballje janë rezultatet.

“Në listë e keni parë që janë disa emra të rinj, disa qe ishin pjesë e ekipit më parë. Kështu që, ne i kemi ftuar ata sepse duam të punojmë dhe të përgatitemi për këto ndeshje. Po ashtu, sigurisht qe duam edhe te shënojmë fitore. Rezultati është fokusi sepse në përfaqësuese luajnë lojtarët më të mirë”, është shprehur Gliha.

Ai ka folur edhe për Arbnor Mujën, i cili është ftuar nga Shqipëria. Gliha ka vlerësuar Mujën lart, por ka thënë se ishte e pamundur të bënte diçka për ta bindur që të mbetet te Kosova. Muja u largua nga Kosova për shkak të përplasjes me ish-selektorin Alain Giresse.

“Muja është shembull dhe shembulli është që lojtarët më të mirë duhet të qëndrojnë te Kosova. Muja është lojtarë për të luajtur 90 minuta jo 60 sekonda, ky është mendimi im. Lojtarët si ai dhe të tjerët duhet të jenë prioritet i Kosovës. Megjithatë, për situatën aktuale ne nuk mund të bënim asgjë edhe pse e kemi kontaktuar, pasi ai kishte vendosur të shkonte te Shqipëria”, shtoi Gliha.

I pyetur se a e shqetëson forma e disa lojtarëve, në veçanti portierëve që nuk kanë pasur minutazhë në klubet e tyre, Gliha tha: “Në jetë kemi situata të ndryshme, ndërsa në futboll këto janë normale. Dikush nuk është në formë sot, ndërsa dikush është në forme nesër. Kështu që, ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe për të bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Gliha ka folur edhe për të ardhmen e tij te Kosova, ndërsa ka specifikuar një gjë, për të cilën dëshiron të mbahet në mend.

“Në jetën e trajnerëve nuk ka garanci dhe as siguri, kështu që shkojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe pastaj do të shohim”, tha Gliha. “Gjëja më e rëndësishme është që lojtarët të vdesin në fushë dhe shpresoj të mbahem në mend për këtë për shkak se kjo është kombëtare dhe ashtu duhet të luajnë të gjithë, duke mos kursyer asgjë nga vetja”.

Gliha nuk deshi të flas për formën e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, të cilët pritet të jenë liderë te Zvicra të shtunën në Prishtinë. Mirëpo, ai pranoi se Zvicra është ekip shumë i fortë por shtoi se gjithçka nga kjo ndeshje do të varet edhe nga Kosova, saktësisht qasjes që do ta ketë.

“Zvicra është një prej ekipeve më të forta në botë, pasi në Katar shkoi përtej fazës së grupeve. Për formën e Xhakes e Shaqirit, do të flasim pas ndeshjes. Futbolli është interesant se mund ta mposhtesh dikë të fortë por edhe mund të pësosh nga më i dobëti. Gjithçka në këtë ndeshje do të varet nga ne, saktësisht qasjes që do ta kemi në lojë dhe shpresoj të kemi qasje të mirë”, u shpreh ai.

Ai ka thënë se nëse bëhet një krahasim i ligës së Kosovës dhe asaj të Sllovenisë, atëherë del se në Kosovë ka ekipe shumë të mira. Mirëpo, ka thënë se problemi është se në Kosovë të gjithë duan të luajnë në sulm, pa dashur të sakrifikohen edhe prapa. Kjo ka bërë që edhe Përfaqësuesja të mos ketë një mesfushor defensiv. Është përmendur edhe emri i kapitenit të Ballkanit, Edvin Kuç, që ka thënë se ndoshta mund të ftohet në të ardhmen.

“Lojtarët këtu duan të luajnë përpara por jo edhe të bëjnë sakrifica prapa. Pra, te gjithë duan te luajnë në sulm dhe jo në mbrojtje. Kjo ka reflektuar edhe tek ne, ku nuk kemi mesfushor defensiv”, është shprehur Gliha. “Kuç është nga Mali i Zi por edhe për shkak të moshës nuk e kemi pasur parasysh për shkak se jemi të fokusuar tek lojtarët më të rinj. Por, nëse kemi nevojë emergjente për periudhe të shkurtër, sigurisht që do ta mendojmë dhe do ta kemi në konsideratë”.

Gliha ka thënë se ka disa rregulla dhe karakteri i tij është i tillë që kërkon nga futbollistët të japin gjithçka në fushë. Po ashtu, ka thënë se nëse dikush prej tyre refuzon të grumbullohet për shkak se nuk ka pasur minutazhë, atëherë nuk do të ketë fare tolerancë ndaj tij. Ai ka thënë se kur bëhet fjalë për ekipin e vendit, nuk duhet të shikohet asnjë rrethanë.

“Rregulli im i parë dhe më e rëndësishmja është kjo dhe për këtë do ta tregoj karakterin tim. Fillimisht më intereson gjendja e lojtarëve, por nuk do te kem tolerance ndaj atyre që nuk duan të jenë pjese e ekipit për shkak se nuk janë aktivizuar. Për mua kjo është e habitshme sepse në Slloveni nuk ka lojtarë që refuzojnë të jenë pjesë e kombëtares për shkak të minutazhës. Këtu nuk bëhet fjalë për paratë, por për kombin dhe në këtë aspekt nuk do të kem fare tolerancë”, shtoi ai.

Gliha ka bërë me dije se ai dëshiron që rregullat e tij të respektohen. Ka zbuluar se u ka kërkuar lojtarëve që një ditë pas ndeshjes me ekipet e tyre, të jenë në Kosovë. Sipas tij, disiplina është shumë e rëndësishme dhe në këtë aspekt edhe tejet rigoroz.

“Nuk e di a është ushtri apo jo, por te gjithëve u kam thënë se një ditë pas ndeshjes me ekipet e tyre të jenë këtu. Nuk i imponojmë rregullat e ushtrisë por kemi disiplinë. Kjo është normale dhe ata që e duan kombëtaren, do ta respektojnë këtë. Nëse vijnë kaq dite para ndeshjes mund edhe të dalin, por kërkojmë gjëra që duhen respektuar. Me njërën dore u jap lirinë por me tjetrën kërkoj shumë. Nëse do tu kërkonim të vinin të hënën, atëherë ata do te donin të vinin të martën, kështu që, jam rigoroz në këto gjera. Kjo është mënyra si duhet funksionuar kombëtarja dhe jo rregullat e ushtrisë”, tha Gliha, i cili shtoi se Arbër Zenelin e ka ftuar për një arsye përkundër që nuk kishte minutazhë në klubin e tij. “Zenelin e kam ftuar këtë herë për shkak se është lënduar duke luajtur për Kosovën dhe e respektoj këtë. Por i kam bërë me dije se pas kësaj nëse nuk luan ne klub, nuk do të ftohet”.

Ai pranoi se Kosova është pak prapa sa i përket kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. Shtoi se është e rëndësishme të punojnë dhe të japin më të mirën në fushë, pavarësisht kundërshtarit.

“Nëse duam të shkojmë diku, duhet te fitojmë ekipet e vogla, për mua është me rëndësi të kemi energji tq mirë të japim gjithçka nga vetja, lojtarët të vdesin në fushë për kombin e tyre. Për të shpresuar në kualifikim, me këto rezultate kemi mbetur pak prapa. Të punojmë, të japim më të mirën. Rezultatet janë diçka qe nuk mund te ndikojmë”, shpreh Gliha.

Gliha tregoi një rast kur ishte në krye të Kosovës në ndeshjen kundër Greqisë. Ajo ndeshje ishte kualifikuese, ndërsa Kosova barazoi 1:1 në udhëtim në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2024”.

“Para Greqisë kur isha ne krye te ekipit, kishim humbur 3-4 ndeshje. Morën gol në minutën e 47-të dhe shkuam në pushim. Pasi e kam thithur një cigare jam futur brenda dhe u kam thënë se do t’i shkatërrojmë ata. Kush nuk ka ‘grande cohones’, e ndërroj. Dhe, ashtu ndodhi, luajtëm mirë dhe barazuam, ndonëse është dashur ta fitojmë atë ndeshje se kemi merituar. Kështu që, kur ka angazhim në fushë, atëherë gjërat janë mirë dhe për këtë arsye jam kërkues i madh”, insistoi Gliha.