Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gjimshiti: Jemi gati ta përballojmë ndeshjen ndaj Çekisë

Berat Gjimshiti

Mbrojtësi Berat Gjimshiti ka thënë se Shqipëria është gati për ta përballuar ndeshjen ndaj Çekisë. Gjimshiti në konferencë për media para ndeshjes kundër çekëve. Ndeshja Shqipëri – Çeki zhvillohet të enjten nga ora 20:45 në Tiranë dhe i takon kualifikimeve për “Euro 2024”. “Në futboll duhet të fokusohesh ndeshje për ndeshje. Është një moment i bukur, i vështirë, por jemi gati ta përballojmë këtë ndeshje. Euforia është nga jashtë më shumë sesa nga brenda. I dimë vlerat e kundërshtarit dhe tonat, do të jetë vështirë, por besojmë në kualitetin tonë për ta dhënë maksimumin ndaj Çekisë”, ka thënë Gjimshiti. Gjimshiti ka folur edhe për mungesën e Ardian Ismajlit. “Është mungesë për gjithë skuadrën siç është Ismajli, por janë edhe tjerët që janë pjesë e Shqipërisë për shumë vite. Besoj se nuk do të jetë problem, pasi unë i besoj të gjithë lojtarëve që luajmë bashkë. Besoj se do t’ia dalim mirë”, është shprehur Gjimshiti.

Mbrojtësi i Atalantas ka theksuar se Çekia luan lojë fizike dhe është e fortë në goditjet standarde. “Çekia është ekip që luan lojë fizike, është e rrezikshme me goditje standarde. Kanë cilësi, sidomos në aspektin individual. Nuk ishte e lehtë të merrnim barazimin dhe nesër uroj të kemi më shumë raste ne dhe t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi”, është shprehur Gjimshiti.

Gjimshiti thotë se ndeshja ndaj çekëve nuk do të jetë vendimtare për kalim tutje. Ai ka thënë se Shqipërinë e presin tri ndeshje të vështira deri në fund. Gjimshiti uron që me Shqipërinë të kualifikohet në Evropian.

Në fakt, Gjimshiti ishte vendimtar për Shqipërinë që siguroi kualifikimin në Evropianin e vitit 2016, por u la jashtë ekipit nga ish-selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi.

“Kam ndjesi të veçantë. Edhe atëherë isha në kualifikimeve, por jo në Evropian. Të gjitha ndeshjet deri në fund janë të rëndësishme. Ndeshje pas ndeshje, uroj t’ia dalim të kualifikohemi”, ka theksuar Gjimshiti.

Ai pret përkrahje të madhe nga tribunat e stadiumit “Air Albania” për ta mposhtur Çekinë në Tiranë. Ndeshja e parë në Pragë pati përfunduar baras, 1:1.