Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria e motivuar për fitore në Çeki

Motivimi dhe besimi janë të mëdhenj te futbollistët e Shqipërisë në prag të ndeshjes me Çekinë. Kjo ka bërë që Shqipëria ta synojë fitoren në Pragë, për ta bërë edhe një hap përpara drejt kualifikimit në “Euro 2024”. Për besimin në fitore ka folur mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, të mërkurën në konferencën për shtyp.

Dueli mes Çekisë dhe Shqipërisë zhvillohet të enjten në stadiumin “Fortuna Arena” në Pragë dhe i takon Grupit E të kualifikimeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjimshiti ka thënë se Shqipëria është gati për ndeshjen me Çekinë dhe të gjithë lojtarët do të japin gjithçka nga vetja për rezultat të favorshëm.

Shqipëria është e dyta në grup me 6 pikë, një më pak se Çekia që prin në tabelë pas tri ndeshjeve të zhvilluara.

“Sigurisht që mund t’ia dalim të fitojmë me Çekinë, pasi grupi ynë është shumë i fortë dhe jemi maksimalisht të motivuar për fitore. Jo vetëm kjo, por secila ndeshje është vendimtare për shkak se bëhet fjalë për 3 pikë. I kemi pesë ndeshje finale që do të japim maksimumin dhe do të shohim në fund se ku do të jemi”, është shprehur Gjimshiti. “Ne do të mundohemi të bëjmë lojë dhe të tregohemi të kujdesshëm në lojën në ajër dhe goditjet standarde, ku çekët janë të rrezikshëm. Motivimi është shumë i madh pasi e kemi parasysh rëndësinë e kësaj ndeshjeje”.

Gjimshiti ka pranuar se presioni është i madh për këtë ndeshje, mirëpo ka shtuar se ai së bashku me lojtarët e tjerë janë mësuar me duele të tilla. Ai ka thënë se dëshira për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm do të bëjë që mos ta ndiejnë presionin kur të dalin në fushë.

“Dëshira ime është të kualifikohemi në Evropianin e vitit të ardhshëm. Pesha e përgjegjësisë ndihet sigurisht, por kjo varet edhe prej karakterit të lojtarëve. Personalisht kam përvojë në ndeshjet me presion dhe nuk e kam problem të luaj edhe në këtë ndeshje tejet të vlefshme. Jam i bindur se të gjithë do ta përballojmë presionin pasi vetëm një gjë e kemi në kokë, kualifikimin në Evropian”, është shprehur Gjimshiti. Ai vlerëson edhe kundërshtaren.

“Çekia mbetet një ekip i fortë për t’u kualifikuar në Evropian. Mendojmë për ndeshjen me Çekinë, të japim gjithçka në këtë ndeshje dhe pastaj kemi tri ditë kohë të përgatitemi për Poloninë”.

Edhe selektori i Shqipërisë, Sylvinho, ka vlerësuar lart Çekinë. Mirëpo, trajneri brazilian ka thënë se ekipi i tij është maksimalisht i motivuar dhe kjo e gëzon pamasë. Sylvinho pret një ndeshje të fortë por paraqitjet e fundit të Shqipërisë i japin shpresë për rezultat të mirë në Pragë.

Ai ka theksuar se përkundër kohës së shkurtër ka arritur ta përgatitë ekipin për këtë përballje.

“Kishim shumë pak kohë për t’u përgatitur, por kjo vlen për të dyja ekipet. Kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur mirë në aspektin e analizës. Jam i kënaqur me grupin, kam parë lojtarët e motivuar dhe më gëzon fakti që të gjithë duan të luajnë dhe të jenë protagonistë. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe më vjen mirë që lojtarët janë gati të marrin përgjegjësitë e tyre”, ka thënë Sylvinho.

Te Shqipëria mbetet në dyshim mesfushori Qazim Laçi, i cili shkaku i gjendjes gripale nuk është stërvitur me ekipin.

Sylvinho ka thënë se e ka idenë se si duhet të luajë, por formacionin do ta caktojë para ndeshjes.

“Ne duhet të ecim në rrugën tonë në këtë sfidë, formacionin nuk e kam vendosur edhe pse e kam idenë e qartë se si do të luajmë. Kemi bërë paraqitje të mira në dy ndeshjet e fundit dhe kjo më jep optimizëm për duelin me Çekinë. Çekia është një kundërshtar shumë i fortë dhe ka lojtarë të nivelit të lartë, gjë që e kemi parasysh. Mirëpo, mendoj se kemi bërë një punë të mirë deri më tani dhe ekipi në këtë ndeshje futet në një formë shumë të mirë”, ka shtuar Sylvinho. “Për mua e rëndësishme është që me Çekinë të luajmë mirë, të marrim pikë por mbase mund edhe të fitojmë përballë një kundërshtari të fortë”.

Sylvinho ka thënë se fokusi i Shqipërisë do të jetë shumë i lartë. Sipas tij, në ndeshje të tilla ekipi që bën më pak gabime do të fitoj. Ai pret që Shqipëria të bëjë një lojë të kujdesshme dhe sigurisht ta marrë maksimumin kundër Çekisë.

“Kemi lojtarë shumë të mirë dhe me sa më pak gabime dhe paraqitje të kujdesshme, ne mund ta marrim maksimumin. Pres që fokusimi i lojtarëve të jetë maksimal për shkak se një gabim më i vogli mund të kushtojë shumë. Taktikisht duhet të jemi të disiplinuar dhe të gatshëm për ta arritur synimin”, tha Sylvinho.

Tekniku brazilian zbuloi se Çekinë e ka analizuar deri në detajet e fundit. Ai i ka shikuar shtatë ndeshjet e fundit të Çekisë dhe ka më shumë se një muaj që është angazhuar për ta bërë ekipin gati për një rezultat të mirë në Pragë.

Në qershor Shqipëria fitoi 2:0 ndaj Moldavisë dhe 3:1 ndaj Ishujve Faroe. Në mars humbi 1:0 ndaj Polonisë, por shfaqi ndeshje pozitive. Tani para kuqezinjve janë ndeshjet vendimtare.