Trajneri brazilian Sylvinho ka thënë se ndeshja ndaj Çekisë është finalja e parë për Shqipërinë drejt kualifikimit për në Evropian. Tekniku brazilian ka thënë se për ta mposhtur Çekinë lojtarët e Shqipërisë duhet të derdhin shumë djersë të enjten mbrëma në fushën e stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ndeshja Shqipëri – Çeki luhet të enjten nga ora 20:45 dhe u takon kualifikimeve për “Euro 2024”.
“Kemi tri finale dhe nesër do të jetë e para, që nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por nuk do të jetë vendimtare për kualifikim. Luajmë ndaj një kundërshtari fizik, ndaj një kundërshtari që nuk ka humbje ende. Duhet të derdhim shumë djersë nesër”, ka thënë Sylvinho në konferencë të mërkurën.
Sylvinho është i kënaqur me arritjen e deritashme të Shqipërisë, e cila i prin Grupit E me 10 pikë.
“Kemi bërë paraqitje të mira deri këtu, por forca e ekipit është shpirti i garës, zemra dhe përkrahja. Ka entuziazëm të madh në opinion, por nuk kemi pasur shumë punë brenda grupit, pasi janë të ndërgjegjshëm dhe të motivuar për një ndeshje të tillë”, është shprehur ai.
Sylvinho ka treguar se Shqipëria do të paraqitet pa Armando Brojën ndaj çekëve, kurse i gatshëm do të jetë Klaus Gjasula.
“Broja është stërvitur shumë pak dhe pas konsultave nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Çekisë. Gjasula erdhi dhe kemi bërë testet tona, ai do të jetë gati për ndeshje”, ka theksuar Sylvinho.
Ai ka thënë se rezultati ndaj Çekisë nuk do të jetë vendimtar për kualifikim.
“Është ndeshje si të gjitha tjerat. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Por, nëse flasim në këtë situatë, është më e rëndësishmja për mua, por nuk do të jetë ndeshje vendimtare. Për mua si trajner është një nga ndeshjet më të rëndësishme që kam pasur si trajner”, është shprehur Sylvinho.
Përzgjedhësi Sylvinho është i bindur se lojtarët do ta japin shpirtin në fushë për t’i gëzuar në fund mbështetësit shqiptarë.
“Është e rëndësishme të tregojmë shpirtin dhe zemrën për shikuesit. Kjo është forca e skuadrës dhe të jeni të sigurt që kjo nuk do të mungojë. Nëse flasim për aspektin taktikën, pak a shumë e njëjtë me ndeshjen e parë. Ata janë të fortë, janë të fortë në transicion, bëjnë zbritje me 5-6 lojtarë. Janë të fortë edhe në goditjet standarde. Duhet të përgatitemi shumë mirë”, ka thënë Sylvinho.
Përkrah Sylvinhos në konferencë ishte edhe qendërmbrojtësi Berat Gjimshiti. Ai ka thënë se Shqipëria është gati për ta përballuar ndeshjen ndaj Çekisë.
“Në futboll duhet të fokusohesh ndeshje për ndeshje. Është një moment i bukur, i vështirë, por jemi gati ta përballojmë këtë ndeshje. Euforia është nga jashtë më shumë sesa nga brenda. I dimë vlerat e kundërshtarit dhe tonat, do të jetë vështirë, por besojmë në kualitetin tonë për ta dhënë maksimumin ndaj Çekisë”, ka thënë Gjimshiti. Gjimshiti ka folur edhe për mungesën e Ardian Ismajlit.
“Është mungesë për gjithë skuadrën siç është Ismajli, por janë edhe tjerët që janë pjesë e Shqipërisë për shumë vjet. Besoj se nuk do të jetë problem, pasi unë u besoj të gjithë lojtarëve që luajmë bashkë. Besoj se do t’ia dalim mirë”, është shprehur Gjimshiti.
Mbrojtësi i Atalantas ka theksuar se Çekia luan lojë fizike dhe është e fortë në goditjet standarde.
“Çekia është ekip që luan lojë fizike, është e rrezikshme me goditje standarde. Kanë cilësi, sidomos në aspektin individual. Nuk ishte e lehtë të merrnim barazimin dhe nesër uroj të kemi më shumë raste ne dhe t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi”, është shprehur Gjimshiti.
Gjimshiti thotë se ndeshja ndaj çekëve nuk do të jetë vendimtare për kalim tutje. Ai ka thënë se Shqipërinë e presin tri ndeshje të vështira deri në fund. Gjimshiti uron që me Shqipërinë të kualifikohet në Evropian. Në fakt, Gjimshiti ishte vendimtar për Shqipërinë që siguroi kualifikimin në Evropianin e vitit 2016, por u la jashtë ekipit nga ish-selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi.
“Kam ndjesi të veçantë. Edhe atëherë isha në kualifikimeve, por jo në Evropian. Të gjitha ndeshjet deri në fund janë të rëndësishme. Ndeshje pas ndeshjeje, uroj t’ia dalim të kualifikohemi”, ka theksuar Gjimshiti.
Ai pret atmosferë të zjarrtë në stadium. Thotë se Shqipëria do ta ketë armë të fortë për ta mposhtur Çekinë në Tiranë. Ndeshja e parë në Pragë pati përfunduar baras, 1:1. Shqipëria është lidere e Grupit E me dhjetë pikë nga pesë ndeshje. Në vendin e dytë me tetë pikë nga katër ndeshje është Çekia. Në nëntor Shqipëria do t’i ketë dy përballjet e fundit për ciklin kualifikues për Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Më 17 nëntor luan ndaj Moldavisë në udhëtim, kurse më 20 nëntor i pret Ishujt Faroe në Tiranë.