Futboll

Kuqezinjtë vlerësojnë Çekinë, por kërkojnë pikët

Shqipëria

Ndeshje të bukur, por shumë të vështirë e parashikojnë selektori Sylvinho dhe mesfushori Nedim Bajrami, atë që Shqipëria do ta zhvillojë ndaj Çekisë të premten mbrëma në “Epet Arena” në Pragë.

Ndeshja Çeki–Shqipëri zhvillohet të premten nga ora 20:45 dhe i takon Grupit B1 të Ligës së Kombeve.

Gjeorgjia prin në grup pas dy xhirove me gjashtë pikë, ndërsa Shqipëria e Çekia kanë nga tri pikë. Ukraina është e fundit pa pikë. Gjeorgjia ka mposhtur fillimisht Çekinë e më pas Shqipërinë. Si Shqipëria, ashtu edhe Çekia fituan ndaj Ukrainës.

Selektori Sylvinho ka thënë se ende nuk e ka menduar 11-shen startuese. Ka thënë se për këtë do të vendosë pasi të flasë me Qazim Laçin. Laçi është futbollist i Sparta Pragës, bashkë me Indrit Tucin, që iu bashkua “kuqezinjve” të mërkurën pas lëndimit të Myrto Uzunit.

Te Sparta e Pragës luajnë disa lojtarë të përfaqësueses çeke, ndërsa Sylvinho ka theksuar se do të marrë informata për ta nga Laçi e Tuci.

“Është një ekip i vështirë, i ashpër dhe luan në nivele shumë të larta. Ka luajtur në kampionate Evropiane dhe Botërore. Ne si skuadër jemi rritur dhe përmirësuar, por duhet të përmirësohemi akoma më tepër. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur, kemi lojtarë të mirë që po luajnë në nivele të larta. Nedim Bajrami kaloi te Rangers, një kampionat ndryshe. Ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe nesër do të kemi një ndeshje shumë të bukur”, ka deklaruar Sylvinho të enjten në konferencën për shtyp.

Braziliani parashikon se “lufta” do të bëhet në mesfushë.

“Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, duke qenë se Çekia është skuadër shumë fizike, bën tranzicione të shpejta, do të jetë e vështirë. Çekia ka shumë lojtarë të mirë, ka mesfushorë të mirë që mund të shënojnë edhe gola. Sulmuesi i saj po ashtu është shumë i fortë, por ne jemi këtu për të luajtur. Janë 90 minuta përpara, jemi përgatitur. Asnjë trajner nuk e përgatit ndeshjen për të barazuar, por ne do të futemi në fushë për ta dhënë më të mirën”, ka theksuar 50-vjeçari.

Në ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2024 që Shqipëria i zhvilloi ndaj Çekisë vitin e kaluar, kuqezinjtë patën një fitore 3:0 në “Air Albania” dhe barazuan 1:1 në udhëtim.

Supergol në barazimin që ishte vlerësuar shumë, kishte shënuar Nedim Bajrami. Bajrami ishte përkrah Sylvinhos në konferencë, ndërsa ka thënë se goli i shënuar ndaj çekëve i takon historisë.

“Besoj se goli që kam shënuar është e kaluar, ka kohë. Nesër do të jetë një ndeshje ndryshe, sepse është një skuadër fizike. E kemi përgatitur mirë ndeshjen dhe të gjithë djemtë janë gati. Nesër e dimë se çfarë duhet të bëjmë në fushë, do të japim maksimumin për të fituar. Rëndësi ka që të mos humbim, pasi e dimë që është një skuadër fizike dhe e fortë në shtëpi”, ka deklaruar mesfushori i Rangersit.

Shqipëria të premten mbrëma do të jetë pa kapitenin Berat Gjimshiti dhe sulmuesit Armando Broja, Rey Manaj e Myrto Uzuni. Ka edhe mungesa të tjera, por edhe emra të rinj.

Bajrami ka shtuar se kushdo që e vesh fanellën “kuqezi”, e jep maksimumin.

“Na mungojnë disa lojtarë, por besoj që e gjithë skuadra është gati. Kemi edhe çuna të rinj në skuadër, Tuci, i cili është stërvitur sot me ne dhe e kemi pritur shumë mirë. Nuk ka shumë rëndësi, na mungon Gjimshiti, Broja. Po të gjithë jemi gati dhe do ta japim maksimumin nesër për ndeshjen. Do të jetë një sfidë e vështirë, sepse çekët janë të fortë në shtëpi. Por do të jemi gati që në minutat e para”, u shpreh 25-vjeçari.

Edhe ndeshjen tjetër të këtij grumbullimi, Shqipëria e luan në udhëtim. Takohet me Gjeorgjinë në Tbilisi të hënën.

Dy ndeshjet e fundit të këtij cikli, muajin e ardhshëm, ndaj Çekisë dhe Ukrainës, Shqipëria i luan në “Air Albania”.