Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Giresse provon të tjerë lojtarë ndaj Ishujve Faroe

Ndeshja miqësore ndaj Ishujve Faroe është e rëndësishme për përzgjedhësin e Kosovës, Alain Giresse. Trajneri francez edhe në këtë miqësore do të provojë lojtarë të rinj dhe këtë e ka konfirmuar në konferencën për shtyp të premten. Kosova përballet me Ishujt Faroe, të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë 18:00. E Giresse në këtë ndeshje pritet të inkuadrojë lojtarët që nuk u paraqiten në miqësoren kundër Armenisë. Kjo miqësore u zhvillua të mërkurën, po ashtu në Prishtinë dhe përfundoi me rezultatin 2:2. Giresse ka thënë se miqësoret e këtij muaji po i përdor për strategjinë që t’i provojë dhe t’i shohë lojtarët e rinj me potencial për t’i ftuar në të ardhmen për Kosovën.

“Në këtë kohë kur kemi luajtur një lojë me Armeninë, edhe miqësorja me Ishujt Faroe bën pjesë në strategjinë për t’iu dhënë hapësirë lojtarëve të rinj. Kështu që, në këtë ndeshje do t’iu japim minutazhë atyre që nuk janë paraqitur në ndeshjen e parë”, u shpreh Giresse.

Edhe pse pritet të paraqitet me formacionin tjetër prej atij kundër Armenisë, Giresse pranoi se synimi i Kosovës është ta fitojë miqësoren me Ishujt Faroe. Ai tha se “Dardanët” janë përgatitur për të triumfuar, por mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat gjatë ndeshjes.

“Ne luajmë gjithmonë për të fituar, pastaj do të fitojmë apo jo nuk mund të them tani për shkak se ende nuk e kemi luajtur ndeshjen. Por, pa dyshim se ne përgatitemi për ta fituar këtë ndeshje dhe jemi të motivuar”, është shprehur Giresse.

Optimizmin e tij para miqësores me Ishujt Faroe e shfaqi edhe Arianit Ferati. Mesfushori ofensiv që debutoi te Kosova në barazimin ndaj Armenisë tha se synimi ndaj Ishujve Faroe mbetet fitorja. Ferati ndaj Armenisë u inkuadrua në pjesëlojën e dytë dhe fitoi penalltinë, të cilën e realizoi Lirim Kastrati për ta barazuar rezultatin në 1:1. Ferati bën karrierë në Holandë, te Fortuna Sittardi.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës, më kanë pritur mirë të gjithë. Besoj që ndaj Ishujve Faroe do të bëjmë një lojë të mirë dhe do të marrim një rezultat të mirë gjithashtu. Jemi përgatitur dhe jemi të gatshëm për lojë”, është shprehur Ferati, i cili ka përfaqësuar Gjermaninë në nivelin e të rinjve. “Debutimi me Kosovën ishte edhe më i veçantë se ftesa për shkak se të luash për vendin tënd është diçka madhështore. Jam shumë i kënaqur që kam mundësinë të luaj për Kosovën”.

Edhe Giresse u premton hapësirë të gjithë lojtarëve të ftuar Sport Giresse u premton hapësirë të gjithë lojtarëve të ftuar

Vetëm pas ndeshjes me Ishujt Faroe, Giresse ka thënë se do ta bëjë vlerësimin e tij për futbollistët e rinj që i ka ftuar në këtë grumbullim. Ai për miqësoret e këtij muaji është fokusuar tek lojtarët që shihen me potencial për t’u ftuar edhe në të ardhmen te Kosova.

“Fillimisht duhet ditur se nuk mund të bëjmë një bilanc apo vlerësim të lojtarëve për shkak se e kemi luajtur vetëm një ndeshje. Presim të luhet edhe ndeshja me Ishujt Faroe dhe pastaj do ta bëjmë vlerësimin e përgjithshëm se cilët lojtarë mund të ftohen në të ardhmen”, është shprehur Giresse.

Miqësorja me Ishujt Faroe do të jetë e fundit këtë vit për Kosovën. Vitin e ardhshëm Kosova e nis ciklin eliminator për “Euro 2024”, ku bën pjesë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën. Ndeshjet e para kualifikuese do të zhvillohen në fund të muajit mars të vitit 2023.