Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se do t’u jap hapësirë për të luajtur të gjithë lojtarëve që i ka ftuar për dy miqësoret e kësaj jave. “Dardanët” të mërkurën luajnë kundër Armenisë, kurse të shtunën ndaj Ishujve Faroe.
Tekniku francez ka theksuar se për lojtarët e rinj është mundësi e artë të dëshmojnë vlerat e tyre. Për Kosovën do të paraqiten kryesisht lojtarë që vlerësohen kandidatë për vend në përfaqësuese.
“Do të luajnë të gjithë për të pasur mundësinë t’i dëshmojnë vlerat e tyre. Do të shohim gjendjen e secilit në stërvitje. Por, ajo që është me rëndësi për ta është t’i tregojnë vlerat në fushë. Janë kryesisht të rinj, por ka edhe me përvojë. Sa i përket listës së paraqitur në fillim ka ndryshime, pasi na kanë lajmëruar që nuk mund të vijnë për arsye të ndryshme. Por, është e mirë për të rinjtë që të mësojnë dhe të fitojnë përvojë”, ka thënë Giresse të martën në konferencë për shtyp.
Lista prej 22 lojtarëve përbëhet kryesisht nga emra të rinj apo emra të atyre që në të kaluarën nuk kanë pasur hapësirë për shkak të konkurrencës. Prej lojtarëve që ftohen rregullisht do të jenë Ibrahim Dresheviq, Visar Bekaj e Donat Rrudhani. Janë kthyer lojtarët si Lirim Kastrati, Blendi Idrizi e Mirlind Daku.
Për herë të parë janë ftuar lojtarët si: Jozef Pukaj, Jetmir Haliti, Kreshnik Hajrizi, Leard Sadriu, Arianit Ferati, Eris Abedini, Uran Bislimi, Ermal Krasniqi e Agon Sadiku.
Giresse ka theksuar se në fushë lojtarët do të vendosen sipas pozitave ku luajnë në klubet e tyre.
“Do të varet nga lojtarët që kemi grumbulluar, kualiteti dhe pozitat ku luajnë. Një pjesë e lojtarëve që do të jenë për herë të parë me ne në ndeshje ndërkombëtare, presim të jenë në gjendjen më të mirë, të kenë një paraqitje të mirë. Do t’i vendosim në pozitat e tyre natyrale”, është shprehur Giresse.
Selektori Giresse insiston se në dy ndeshjet miqësore rezultati do të jetë në plan të dytë.
“Interesi ynë në këto dy ndeshje miqësore është t’i shohim lojtarët e rinj prej të cilëve pres t’i tregojnë vlerat dhe të më bindin për të qenë edhe në të ardhmen pjesë e Kosovës. Është me rëndësi të fitojnë përvojë, por edhe zbulimi i talenteve të reja”, ka thënë Giresse.
Ai ka treguar edhe për disa lojtarë që i ka ftuar, por që nuk kanë mundur të jenë pjesë e grumbullimit, siç është rasti i Arbër Hoxhës. Ka thënë se Hoxha është i lënduar. Hoxha në fakt të shtunën shënoi gol për skuadrën kroate Slaven Belupo, në ndeshjen ndaj Hajdukut të Splitit. Luajti 90 minuta.
Giresse është pyetur pse në listë nuk ka përfshirë Albion Rrahmanin, Meriton Korenicën dhe Armend Thaqin. Të tre futbollistët janë pjesë e Ballkanit. Nga klubi Ballkani, Giresse ka ftuar Lumbardh Dellovën, Lindon Emërllahun dhe Ermal Krasniqin. Selektori Giresse ka theksuar se është zgjedhje sportive.
“Ka të bëjë me përzgjedhjen e trajnerit në aspektin sportiv. Në momentin që publikohet lista, pyetjet janë për lojtarët që nuk janë ftuar, ndërsa unë flas për lojtarët që i kam ftuar. Nuk kemi lënë anash ligën e Kosovës, kemi ftuar lojtarë të Superligës”, ka thënë Giresse.
Ndërkohë mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, është i gatshëm t’i tregojë vlerat e tij te përfaqësuesja.
“Jemi gjithë lojtarë të rinj që i ka ftuar trajneri. Duam të paraqitemi sa më mirë, t’i tregojmë vlerat tona dhe të ftohemi edhe në ndeshjet e tjera. Shpresoj të kem mundësinë t’i tregoj vlerat e mia. Në listë jemi të gjithë futbollistë thuajse të rinj”, ka thënë Emërllahu. Ai thotë se formën të cilën e ka shfaqur me Ballkanin do të mundohet ta tregojë edhe te Kosova. “Besoj që paraqitjet me Ballkanin të më ndihmojnë dhe të paraqitem sa më mirë edhe te Kosova. Shpresoj ta kem rastin dhe pse jo të tregoj vlerat e mia për të pasur mundësitë për të ardhmen”, është shprehur Emërllahu.
Kosova të dy miqësoret i luan në “Fadil Vokrri”.
Ndeshja me Armeninë luhet prej orës 18:00.