Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka publikuar të hënën listën për katër ndeshjet e qershorit. Giresse ka ftuar 24 futbollistë, në të cilët llogarit për ndeshjet e para të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Kosova është në Grupin 2 të Ligës C, që është niveli i tretë. Ndeshjen e parë e ka në udhëtim ndaj Qipros, më 2 qershor. Më 5 qershor, Kosova e pret Greqinë, ndërsa në “Fadil Vokrri” luhet edhe ndeshja me Irlandën e Veriut, më 9 qershor. Ndërkohë “Dardanët” më 12 qershor luajnë ndeshje tjetër me Greqinë, këtë herë në udhëtim.
Tifozët presin nga Kosova që të reagojë pas kampanjës jo të suksesshme në kualifikimet për Botërorin 2022. Kosova ishte renditur e fundit në Grupin B, me vetëm pesë pikë nga tetë ndeshje. Mbeti prapa Spanjës, Suedisë, Greqisë dhe Gjeorgjisë. Në muajin mars, Kosova luajti dy miqësore që u vlerësuan të suksesshme. Fitoi 5:0 ndaj Burkina Fasos dhe barazoi 1:1 me Zvicrën. U vlerësuan rezultate të rëndësishme në fazën kalimtare – nga ajo e pasuksesshme në kualifikimet për Botëror, në atë që synohet në Ligën e Kombeve.
Giresse, ashtu si pritej, u ka besuar lojtarëve të konfirmuar. Ka pak emra të rinj në listën e francezit, që vetëm këtë vit mori drejtimin e Kosovës.
Emër i ri në listë është vetëm ai i mbrojtësit Edvin Kurtulush. Kurtulush luan për Hammarbyn në Suedi, ndërsa ka shfaqur vlera gjatë paraqitjeve me U21 të Kosovës. Dhe tashmë është graduar te seniorët nga Giresse.
Pas më shumë se një viti në përfaqësuese është kthyer Benjamin Kololli. Majtaku tashmë po luan në Japoni, ndërsa së fundi ishte grumbulluar në mars të vitit të kaluar.
Pas një viti është kthyer edhe Donat Rrudhani i Aaraut të kategorisë së dytë zvicerane. I është bërë vend edhe Emir Sahitit, që ishte ftuar në mars, por nuk u grumbullua për shkak të një lëndimi. Sahiti i Hajdukut të Splitit është në pritje të debutimit.
Të tjerët janë emra të konfirmuar dhe të rregullt në grumbullimet e fundit të Kosovës. Në ndeshjet e qershorit nuk do të paraqiten lojtarë të rëndësishëm si Florent Hadërgjonaj e Elbasan Rashani. FFK-ja nuk ka njoftuar për arsyen e mungesës së tyre. Rashani luajti në fundjavë në Francë, por ka pasur shqetësime fizike këtë edicion. Edhe Hadërgjonaj luajti në fundjavë në Turqi. Lojtarë të tjerë si Besar Halimi, Herolind Shala, Bersant Celina, Hekuran Kryeziu, Idriz Voca kanë rënie në karrierë dhe ashtu si pritej kanë mbetur jashtë. Ftesë nuk mori as Astrit Selmani, që ishte grumbulluar rregullisht në vitin e fundit. Ka mbetur jashtë edhe sulmuesi i krahut Lirim Kastrati, që nuk po luan fare në Poloni.
Shumë prej lojtarëve të Kosovës kanë përfunduar një edicion të suksesshëm me skuadrat e tyre. Dhe në grumbullim vijnë të frymëzuar nga sukseset në nivel klubesh.
“Katër ndeshjet e qershorit janë të rëndësishme pasi bëhet fjalë për ndeshje zyrtare, kualifikuese për Ligën e Kombeve. Së pari duhet t’i përgatisim të gjithë lojtarët pas një edicioni të gjatë dhe më pas të kemi ambicie dhe objektiva për rezultatet më të mira. Pra, që të marrim pikë. Kur bëhet fjalë për garë, aty janë rezultatet dhe janë pikët për t’i fituar. Në çdo ndeshje çdoherë ka të bëjë me marrjen e sa më shumë pikëve të mundshme, duke u bazuar në rrethanat dhe ecurinë e lojës”, ka thënë Giresse ditë më parë për KOHËN.
Synimi i tij është që të startohet me fitore.
“Është gjithnjë me rëndësi të fillohet një kampanjë e mirë. Kur ka ndeshje rresht, si në këtë rast, është me rëndësi të fillohet me sukses. Pra, synojmë suksesin në Qipro, për të vazhduar më pas në dy ndeshjet në shtëpi dhe për të përfunduar me ndeshjen tjetër në udhëtim”, ka theksuar francezi Giresse.