Sport

Kosova teston shumë lojtarë ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe

Në prag të Botërorit në Katar, përfaqësuesja e Kosovës në futboll i luan dy miqësore në “Fadil Vokrri”. Dhe miqësoret me Armeninë dhe Ishujt Faroe do t’i shërbejnë selektorit Alain Giresse për të rritur bazën e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjet eliminatore të “Euro 2024”.

Giresse të premten ka shpallur listën me emrat e 22 lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjet e javës së ardhshme. Tekniku francez nuk llogarit në lojtarët që bartin barrën te Kosova. Prej lojtarëve që ftohen rregullisht do të jenë Ibrahim Dresheviq, Visar Bekaj e Donat Rrudhani. Janë kthyer lojtarë si Lirim Kastrati, Blendi Idrizi e Mirlind Daku. Dhe shumica janë lojtarë që debutojnë apo që kanë luajtur ndonjë ndeshje të rrallë në të kaluarën.

Emër i ri te Kosova është portieri Jozef Pukaj, që ka nisur të paraqitet në Superligën e Zvicrës për Winterthurin. Mbrojtësi i Lugasnos, Kreshnik Hajrizi, është ftuar për herë të parë, pas karrierës që kishte tek U21 e Kosovës. Jetmir Haliti i Mjallbyt suedez do ta veshë për herë të parë fanellën e Kosovës. Leard Sadriu i Muras suedeze bën hapin para pas paraqitjes me U21 të Kosovës. Ai ka luajtur edhe për U19 e U17 të Kosovës.

Arianit Ferati ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Gjermanisë, por më pas pësoi rënie në karrierë. Mesfushori ofensiv tani po luan për Fortuna Sittard në Holandë dhe do të ketë rastin të dëshmohet te Giresse. 25-vjeçari është tjetër debutues në listë.

I Luganos së Zvicrës është edhe Uran Bislimi, mesfushori 23-vjeçar. Ai kishte një paraqitje për Zvicrën U19. Eris Abedini ishte prej lojtarëve kryesorë te Kosova U21 dy cikle kualifikuese më parë dhe tani e fiton rastin te përfaqësuesja A. Abedini 24-vjeçar luan për Winterthurin në elitën helvetike.

Ftesë mori edhe Ermal Krasniqi i Ballkanit e po ashtu Agon Sadiku i Honkas finlandeze. Ky 19-vjeçar ka luajtur për grupmoshat e Finlandës deri më tani. Dhe mund të ketë të ardhme te Kosova.

Prej Superligës sërish janë ftuar Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova e Lindon Emërllahu, ndërsa në listë janë shtuar edhe Muharrem Jashari i Dritës dhe Krasniqi. Jashari më herët kishte luajtur një ndeshje për Kosovën, kur ekipi ishte përbërë, si tani, me lojtarë kandidatë.

Sërish jashtë ka mbetur Armend Thaqi, që vlerësohet se ka kaluar formë shumë të lartë te Ballkani këtë edicion. Ftesë nga Giresse nuk mori as Arbër Hoxha, që ka shfaqur efikasitet së fundi në Kroaci.

Përfaqësuesja grumbullohet të hënën, ndërsa miqësorja me Armeninë është të mërkurën në “Fadil Vokrri”. Në të njëjtën arenë Kosova luan me Ishujt Faroe, të shtunën, më 19 nëntor. Janë ndeshjet e fundit miqësore para se Kosova të nisë kualifikimet për “Euro 2024”. Më 25 mars të vitit të ardhshëm, përfaqësuesja luan në udhëtim ndaj Izraelit. Më 28 mars e pret Andorrën. Më pas luan në qershor, shtator, tetor e nëntor të vitit të ardhshëm, me shpresë për kualifikim në ngjarjen e parë të madhe të futbollit.

FFK-ja e ka publikuar dy herë listën e Kosovës, të premten. Fillimisht në listë ishte edhe Toni Domgjoni, por ajo listë u tërhoq më pas. Në listën e dytë, të përmirësuar, Domgjoni nuk figuronte. Vetëm në listën e dytë, që është finale, u shtuan Hajrizi, Abedini dhe Krasniqi.

FFK-së herë pas here i ndodhin lëshime të tilla, ndonëse lista pritet me kureshtje nga tifozët e shumtë të Kosovës.


LISTA: Visar Bekaj, Jozef Pukaj; Ibrahim Dresheviq, Lirim Kastrati, Ilir Krasniqi, Kreshnik Hajrizi, Jetmir Haliti, Donat Rrudhani, Lumbardh Dellova, Leart Sadriu; Uran Bislimi, Lindon Emërllahu, Muharrem Jashari, Blendi Idrizi, Jetmir Topalli, Eris Abedini, Agon Sadiku, Arianit Ferati; Valmir Veliu, Ermal Krasniqi, Mirlind Daku, Lirim Kastrati.